"Si do ta mposhtë Basha Ramën në 2025 nëse është i paaftë të mundë Berishën?" Kajsiu: S'mund të bindë partinë e tij

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me një vendim personal më 9 shtator 2021 vendosi përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar i PD. Kjo solli krijimin e tensioneve të brendshme brenda partisë mes zotit Berisha dhe zotit Basha. Zoti Berisha e cilësoi si një veprim antistatuor përjashtimin e tij dhe filloi "betejën"  për rikthimin e sovranitetit në PD sipas tij.

Politologu Blendi Kajsiu në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se tensioni është i kuptueshëm, por problemi me këtë tension është që të dyja palët refuzojnë të thonë të vërteta të plota, duke thënë secila palë gënjeshtrat e saj.

Kajsiu: Nga njëra anë kemi lëvizjen e zotit Berisha që flet për demokraci dhe sovranitetin e PD kur në fakt ka në bazë të saj interesin personal për të përdorur PD-në si mbrojtje ndaj SHBA-së. Ai po kritikon dhe kryetarin Basha të cilin e emëroi në krye të PD-së dhe është një lëvizje që ndonëse flet në emër të demokracisë, nuk ka lidhje me demokracinë por me interesat personale të zotit Berisha.  Edhe ata që e mbështesin zotin Berisha nuk janë të sinqertë sepse ndonëse thonë se mbështesin demokracinë, duan ta përdorin Berishën për ta rrëzuar Bashën.

Nga ana tjetër kemi Bashën i cili është i paqartë, inkoherent që nga mënyra si e përjashtoi zotin Berisha, deri tek mënyra se si po e menaxhon situatën duke filluar me deklarata të papranueshme politikisht dhe pa logjikë të tipit që "Nuk mblidhet Kuvendi", "Nuk bëjmë kongres", "Nuk bëjmë takime me anëtarësinë", që janë të çuditshme kur vijnë nga një kryetar partie i cili duket se ka frikë nga anëtarësia.

Zoti Kajsiu u shpreh se janë forumet e partisë vendi më i domosdoshëm dhe më demokratik dhe ku zgjidhen me votë debatet dhe krizat. Sipas tij asnjëra palë nuk është e vërtetë në betejën e saj.

Gjatë analizës së tij, Kajsiu u shpreh se edhe nëse Berisha vjen në krye të PD-së, partia nuk do mund të rikthehet dot në pushtet.

Kajsiu: Përgjigjen e dimë të gjithë. Të imagjinosh që në vitin 2025 PD i propozon si kryeministër zotin Sali Berisha, sepse kryetari është automatikisht kryeministër. Zoti Berisha ka ngarkesën e të qenit person "non grata" nga SHBA. Qytetarët janë të pakënaqur nga qeverisja Rama, megjithatë midis këtyre të dyve shqiptarët do zgjidhnin Ramën. Shqiptarët e kanë bërë këtë zgjedhje me kohë.

Megjithatë, zoti Kajsiu mendon që edhe me Bashën në krye shanset që PD-ja të vijë në pushtet janë të pakta.

Kajsiu: Shanset që Basha ta sjellë PD në pushtet gjithashtu janë të pakta. Me Bashën kryetari, sidomos me mënyrën se si po kryeson Partinë Demokratike sot, PD-ja mund të vijë në pushtet në 2025. Zoti Basha po i tregon si demokratëve dhe shqiptarëve që ai nuk është i aftë të bindë partinë e tij, të marrë rrugën e duhur. Nëse ai është i paaftë të bindë anëtarësinë që rruga e duhur është në koherencë me SHBA, nëse nuk është i aftë që të mundë Sali Berishën, atëherë si mundet të bindë qytetarët shqiptarë që të votojnë për të dhe të mundë Ramën. Si mundet zoti Basha të mundë Ramën në vitin 2025 nëse është i paaftë të mundë Berishën? Basha me strategjinë që ka zgjedhur të heshtjes, të mos përballjes, të mos thënies të disa të vërtetave ka humbur në staturën e tij si kryetar.

Sipas Kajsiut në momentin që Basha nuk distancohet nga e kaluara nuk mund të bëjë diferencën nag "Trekëndëshi i Bermudës", ai është në qendër të këtij trekëndëshi. Lulzim Basha u shpreh në Kuvend se Meta, Berisha dhe Rama bëjnë "Trekëndëshin e Bermudës." 

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku