PS kundër vetingut në politikë, Gjiknuri: Kemi ligjin e dekriminalizimit dhe ILDKP, por gati të negociojmë

Partia Socialiste duket se do ta kundërshtojë propozimin e demokratëve për kontrollin e figurës dhe pasurisë së politikanëve.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri shprehet se në Shqipëri ka një legjislacion të plotë për këtë detyrë siç është ligji për dekriminalizmin dhe ILDKP, por nga ana tjetër kërkoi votën për shtyrjen e afatit të Komisionit të Vetingut në drejtësi duke e cilësuar ii një legjislacion i cili vazhdon të funksionojë.

Gjiknuri: Është një vazhdimësi e një ngrehine kushtetuese institucionale e cila është duke funksionuar. Për sa i përket çështjeve të tjera që kanë dalë, mendoj që duhet të shikojmë kuadrin aktual ligjor. Unë nuk jam kundër që të negociohet, çdo gjë është e diskutueshme, por a është kjo e nevojshme për nivel kushtetues. Këtë nuk mund t them sepse Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që bëjnë të mundur kontrollin e figurës së politikanit. Kemi një ligj për deklarimin e pasurive dhe ku të gjithë politikanët i nënshtrohen kontrollit të plotë, kemi ligj te antimafias dhe pastrimit të parave dhe ke ligjin për dekriminalizimin që është një nga ligjet më të ashpra.