Legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit, Daci: Opinioni i Komisionit nuk është i saktë, GJK të gjykojë përtej "Venecias"

Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar seancën përfundimtare në lidhje me padinë e shoqatës së bashkive kundër zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Trupa gjykuese është tërhequr tashmë për vendim, ndërkohë që avokati Jordan Daci, theksoi se Opinioni i dhënë pak kohë më parë nga Komisioni i Venecias për këtë çështje, nuk duhet konsideruar pasi ka dhënë përgjigje për tri pyetje ndërkohë që para Gjykatës janë shtruar 20 të tilla.

Po kështu sipas Dacit zgjedhjet njëpartiake nuk u kanë dhënë mundësi qytetarëve për të zgjedhur.

Daci: Zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin në përputhje me parimet dhe normat kushtetuese të Shqipërisë. Opinioni i Venecias nuk është detyrues dhe nuk është as i saktë. Në paragrafin 27 ai e pranon dhe në 28 e mohon. Nga ana tjetër nëse nuk është GJK kush është në Republikën e Shqipërisë autoriteti që vendos për shkeljen dhe garancitë kushtetuese. Si mund të shkojmë në Gjykatën evropiane për të Drejtat e Njeriut nëse Venecia e paska të saktë? Kështu që jo vetëm që ka kompetencë he absolutisht në Shqipëri vetë Opinioni i referohet 3 pyetjeve, ndërkohë që për Gjykatën janë mbi 20 apo 30 pyetje të tjera dhe që nuk lidhen domosdoshmërisht me atë që thotë Komisioni.

Për më tepër Komisioni thotë që Gjykata mund të konstatojë zbrazëti, po ashtu thotë që Gjykata ka kompetencë të përgjithshme kushtetuese. Gjithashtu thotë se Gjykata mund të merret me aspektin e legjislacionit zgjedhor. Në këtë aspekt ne mendojmë që ka kompetencë dhe GJK duhet ta gjykojë përtej konkluzioneve të "Venecias" të cilat janë kontradiktore dhe nuk mbështeten as në teorinë e të drejtës kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ditën e sotme, 2 nëntor ka zhvilluar seancën përfundimtare duke mbyllur gjykimin për zgjedhjet e 30 qershorit. Pritet që Gjykata të marrë një vendim brenda afatit 30 ditor.