Parashtrimi i Shoqatës së Bashkive, argumentet pse rezultatet e zgjedhjeve të 30 qershorit duhen zhbërë
Ka nisur sot në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimi i kërkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për shpalljen antikushtetues të procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 “Për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiake dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjeve së anëtarëve të këtyre organeve.
Në parashtrimin shtesë të shoqatës thuhet se “Opinioni Këshillues I Komisionit të Venecias nuk mundet kurrsesi të diktojë qëndrimin përfundimtar të Gjykatës për këtë çështje, pasi kërkimet dhe pretendimet e kërkuesit dhe të palëve të tjera, duke përfshirë edhe vlerësimet 'ex officio' që mund të bëjë gjykata, tejkalojnë mendimin në fjalë
“Nëse Gjykata Kushtetuese nuk paska kompetencë, gjë e cila është absurde dhe aspak e bazuar në Kushtetutë, atëherë si mund që kërkuesi në këtë proces të bëjë ankim në GJEDNJ, pa vënë në lëvizje më parë Gjykatën Kushtetuese? “ thuhet në faqe 6 të këtij dokumenti.
Avokati Jordan Daci beson se Gjykata Kushtetuese sikurse edhe çdo gjykatë tjetër në respektim të parimit “Iura Novit Curia” (Gjykata e di ligjin) është e detyruar ta shqyrtojë kërkesën përtej kërkimeve dhe arsyetimeve të kërkuesit, duke zbatuar drejtpërdrejtë Kushtetutën, të Drejtën e Ndërkombëtare të Detyrueshme për RSH, si dhe ligjet në përputhje edhe me nenin 76 të Ligjit të saj organik etj.
Në argumentin e tij Daci thotë më tej se edhe Komisioni i Venecias në opinionin e tij ka theksuar se zgjedhjet e 30 qershorit “nuk ishin në përputhje me parimet e një sistemi demokratik dhe që riparimi i kësaj situate, kërkon 'de facto' dhe 'de jure' mbajtjen e zgjedhjeve të tjera pa vonesë për të rivendosur demokracinë dhe sovranitetin e popullit duke përfshirë edhe besimin e publikut tek institucionet dhe procesi zgjedhor në tërësi”
“Pra me fjalë të tjera, konfirmon pretendimet dhe pranon që si pasojë përfundimtare ndaj kërkimeve, do të ishte zhbërja e rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 dhe ndërhyrja në legjislacion për të mos lejuar përsëritjen e këtij fenomeni dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në RSH” mbyllet parashtrimi prej 12 faqesh i avokatit Jordan Daci.
