Shtrëngohen masat në Holandë/ Pas shpërthimit të rasteve me Covid-19 dozë e tretë për të gjithë?
Autoritetet shëndetësore holandeze pritet të vendosin sot nëse do të rekomandojnë për të gjithë të rriturit dozën e tretë kundër Covid-19 , ndërsa qeveria po shqyrton një paketë të re kufizimesh mes rasteve të reja në rritje.
Kryeministri Mark Rutte pritet të shpallë masat e reja për të ngadalësuar përhapjen e virusit në një konferencë shtypi të planifikuar në orën 19:00.
Masat në shqyrtim përfshijnë ripërdorimin e maskës në disa zona, përforcimin e masës për punën në distancë dhe miratimin më të gjerë të certifikatës së vaksinimit që përdoret aktualisht për të hyrë në bare dhe restorante.
Ndërsa 84% e popullsisë së rritur në Holandë është vaksinuar, rastet e reja janë rritur në mënyrë të qëndrueshme që kur qeveria i dha fund rregullave të distancimit social më 25 shtator.
Deri dje, infeksionet e reja u rritën me 45% në baza javore dhe po i afrohen me shpejtësi niveleve të regjistruara më parë në korrik 2021, si dhe në dhjetor dhe tetor 2020.
Presioni mbi spitalet është një çështje shqetësimi i menjëhershëm, pasi shumë prej tyre kufizojnë shtrimet e rregullta në spital.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (RIVM) i vendit vlerëson se tre të katërtat e atyre që aktualisht po trajtohen për virusin janë të pa-vaksinuar.
Nga ata që rezultuan pozitivë muajin e kaluar, rreth 53% thanë se ishin të pa-vaksinuar, ndërsa 44% thanë se ishin plotësisht të vaksinuar, sipas RIVM.
Një përfaqësues i Këshillit Shëndetësor të vendit tha se organi kryesor këshillimor do të shpallë pasdite vendimin nëse do të rekomandohet doza e tretë për të gjithë të rriturit./Ora News/


