Sarandë: Miliona për shkollën që nuk hapet. Kthimi i rezidencës qeveritare në kampus arsimor gllabëroi mbi 270 milonë lekë
Miliona lekë të hedhura nga buxheti i shtetit për kthimin e ish-godinës qeveritare në kampus shkollor në Sarandë duket se kanë shkuar dëm. Gjashtë vite pas nisjes së projektit, godina është jo funksionale pasi punimet kanë mbetur në mes me instalimet elektrike dhe mjetet e nevojshme mësimore. Bashkia e Sarandës refuzon të përgjigjet për arsyet e kësaj situate
Sarandë - Gjashtë vite pas premtimit për kthimin e rezidencës qeveritare në Sarandë në kampus arsimor, kjo nismë e vitit 2015 ka mbetur në letër edhe pse Eko Kampusi ka gllabëruar miliona lekë nga buxheti i shtetit.
Rikonstruktimi i objektit ka kushtuar më shumë se 270 milionë lekë, por ende nuk ka shërbyer qoftë edhe për një nxënës të vetëm.
Ora News i është drejtuar Bashkisë së Sarandës me një kerkese zyrtare për të ditur arsyet se perse Eko Kampusi nuk po hap dyert për nxensit. Por edhe pse ka kaluar afati ligjor nuk e kemi marrë një përgjigje.
Qeveria Shqiptare financoi projektin në vitet 2016 dhe 2017 duke dhënë në total 347 milionë e 771 mijë lekë ndërsa kontrata e lidhur me 21 dhjetor 2015 mes Bashksië Sarandë dhe fituesit të tenderit kishte vlerën e 270 milionë lekëve.
Sipas informacioneve EkoKampusi ka përfunduar në vitin 2017, por godina nuk është funksionale pasi nuk janë realizuar instalimet elektrike, hidraulike, dhe nuk janë vendosur pajisjet për zhvillimin e mësimit.
