Greva përçan biznesin, jo të gjithë tregtarët ulin qepenat: I madhi nuk pyet, ai i bën ligjet
Për disa minuta tregtarët e vegjël dhe të mesëm në Tiranë ulën qepenat në shenjë proteste ndaj vështirësive me të cilat po përballen sidomos nga kostot shtesë të fiskalizimit dhe rritjes së çmimit të karburanteve. Ata kërkojnë nga shteti më shumë mbështetje dhe subvensionim pasi po shkojnë drejt falimentimit. Por zhvillimi i grevës u shoqërua me përçarje pasi pati nga ata tregtarë që e nuk e ndaluan aktivitetin pasi janë mosbesues ndaj protestave.
Edhe pse paralajmëruan grevë me ulje qepash, jo të gjitha bizneset e vogla iu bindën nismës, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballen nga dëmet e pandemisë dhe sidomos nga kostot shtesë të fiskalizimit.
Greva nuk nisi në orarin e përcaktuar, në 10:00 ndërkohë që u desh të vinin përfaqësues nga Shoqata e Biznesit të Vogël e të Mesëm të nxisnin tregtarët në uljen e qepenave.
Disa nuk iu bashkuan nismës nga frika e penaliteteve nga bashkia Tiranë në ushtrimin e aktivitetit.
E të tjerë tregojnë se e kanë humbur besimin tek protestat e reagimet e qeverisë.
"I madhi nuk pyet, thotë ligjet i bëj unë. Kështu që kot, si mbyllur, si hapur ne e kemi njësoj."
E megjithatë qepanat u ulën vetëm simbolikisht dhe jo për një orë ashtu siç ishte planifikuar.
Tregtarë të tjerë shpresojnë në dhënie e ndihmës nga shteti pasi ashtu sikundër pandemia dhe rritja periodike e çmimeve po i dërgon drejt falimentimit.
"Jo e vështirë, por shumë e vështirë."
Nënkryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël e të Mesëm Bujar Muco thotë se biznesi ka nevojë për mbështetje duke shtuar se procesi i fiskalizimit po krijon akoma më shumë vështirësi për shkak të kostove të larta.
"Është një kosto shumë shtesë për biznesin, e papërballueshme këtë kohë që po kalojmë në pandemi dhe e dyta është një sistem shumë i ndërlikuar dhe i paaksesueshëm për ta përdorur biznesi i vogël dhe i mesëm për nivelin që ka. Ndihma që i është dhënë biznesit të vogël e të mesëm nga ana e qeverisë ka qenë për ne një lëmoshë, nuk ka qenë ndihmë reale," tha ai.
Tregtarët paralajmëruan përshkallëzim protestash nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
