Trafiku i 55 klandestinëve/ 2 skafistët e 2 strehuesit të pandehur, mes tyre dhe 5 ushtarakë të flotës

Tentativa e 8 janarit 2021, për të trafikuar 55 klandestinë Sirianë, Iranianë dhe Egjiptianë nga bregdeti i Vlorës në drejtim të Italisë, ka sjellë marrjen si të pandehur nga Prokuroria, të 2 skafistëve, 5 ushtarakëve të bazës së Pashalimanit dhe 2 personave që kishin mbajtur e strehuar klandestinët në Tiranë dhe Vlorë.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, anëtarët e ekuipazhit të anijes ushtarake “P-116”, Sejfulla Beja, Bledar Bufaj, Roland Cani, Ardit Alikaj, dhe Besmir Meçe, akuzohen për “Shpërdorim detyre”.

Në fakt nëse nuk do ndërhyhej nga këta ushtarakë, në Gjirin e Vlorës, do kishte ndodhur një tragjedi, duke sjellë mbytjen e shumë personave.

Por lënia nga ushtarakët të dy skafistëve që të ikin, ka sjellë implikimin e tyre në këtë çështje penale.

Dy skafistët, Emiljan Likaj nga Vlora dhe një tjetër i shpallur në kërkim, akuzohen nga Prokuroria për “Dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Të pandehur si pjesë e këtij rrjeti, dhe të akuzuar për strehimin e emigrantëve, janë tashmë 31-vjeçari nga Vlora, Qazim Ismailaj dhe tregtari nga Tirana, Fatos Tusha.

Sipas dosjes hetimore, efektivë të Ushtrisë Shqiptare, kanë pajisur me jelekë shpëtimi trafikantët e Vlorës, që tentuan të transportojnë në rrugë detare nga Shqipëria drejt Italisë, 55 klandestinë Sirianë, iranianë dhe egjiptianë.

Skandali ka ndodhur pikërisht në repartin e Rojes Bregdetare të Flotës Detare në Vlorë, pasi në datën 8 janar 2021, Roja Bregdetare, u përfshi në një operacion detar për shpëtimin nga mbytja të një gomoneje, të ngarkuar me klandestinë.

Dy trafikantëve nga Vlora, Emiljano Likaj, tashmë i arrestuar dhe një tjetër ende në kërkim, jo vetëm që i është dhënë jelekë shpëtimi nga ekuipazhi i anijes ushtarake, por para se ata të largoheshin, ata kanë qëndruar në kabinën e drejtimit të anijes, dhe kanë biseduar në telefon me anëtarët e familjes së tyre.

Policia kufitare dhe ajo kriminale, mbrëmjen e 8 janarit, ishin njoftuar për këtë situatë dhe ishin në pritje në kalatën e Triportit, për tu njohur më nga afër me ngjarjen dhe realizuar arrestimin e dy skafistëve.

Por kur anija e Flotës Detare, është ankoruar në kalatë, aty kanë zbritur vetëm 55 klandestinët dhe jo dy trafikantët.

Ushtarakët e anijes dhe klandestinët, treguan se dy personat ishin hedhur nga anija duke u larguar me not.

Për të arritur në brigjet e vendit fqinj, klandestinët, sipas burimeve, paguanin nga 4 deri në 5 mijë euro, ndërsa në ndihmë të kësaj veprimtarie kriminale, ishte krijuar edhe një infrastrukturë e plotë, duke filluar nga strehimi dhe ushqimi I tyre, deri tek transportimi tokësor nga njëra bazë në tjetrën e më pas transporti detar.