"Nuk i bëmë shtëpitë me lekët e Ramës", Rushaj me banorët e "5 Majit": Qeveria po tallet, duhet dëmshpërblim

Nënkryetari i PD Alfred Rushaj u takua ditën e sotme, 31 tetor me banorët e zonës “5 Maji”, në Tiranë shtëpitë e të cilëve u shembën.

Rushaj u shpreh se qeveria ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën, duke u prishur shtëpitë pa shpërblim paraprak. 

Rushaj: Jepi atë çfarë kërkon Kushtetuta, shpërblim paraprak. Mua më takon të vij këtu se është shkelur ligji dhe po shkelet përditë. Pas familjes, gjëja më e shtrenjtë që ka kushdo është shtëpia. Po ja u prishin përdhunazi.

Një banore u shpreh se Edi Rama dhe Veliaj nuk shkojnë në zonë pasi kanë frikë.

Banorja: Nëse bëjmë diçka të keqe Rama dhe Veliaj vijnë të vënë hekurat, ndërsa tani nuk vijnë se kanë frikë. Të vijnë t'i japin llogari popullit.

Banori: Ne si popull duhet të çohemi e t'i shkojmë Erion Veliaj më parë në shtëpi t'ia prishim atë vilën 1 milionë euro, pastaj të shkojmë te Edi Rama e te të gjithë këta që bëjnë biznes me pronat tona. Të gjithë jemi të mbaruar pa shtëpi.

Banorët hodhën poshtë deklaratat e bashkisë se shumica e tyre kanë firmosur për prishjen e shtëpive, duke e konsideruar qëndrimin si përçarës dhe kundër interesit të tyre.

Banorët i bënë thirrje qytetarëve që të mblidhen dhe të shkojnë në kryeministri.

Banorja: Edi Ramën do ta rrëzojmë një orë e më parë. Mos ta lëmë të na bëjë ligjin në tokat dhe shtëpitë tona. Shtëpitë i kemi bërë me lekët e djersën tonë jo me lekët e Edi Ramës.

Rushaj u shpreh se qeveria po tallet me njerëzit.