Abuzim me tenderin 7 milionë lekë në bashkinë Durrës, Gjykata le në burg zyrtarët, 2 në masë më lehtësuese
Në seancën e cila zgjati për rreth 4 orë avokatët kërkuan mase më të lehtë për klientët e tyre por togat e zeza vendosën lënien në fuqi.
Konkretisht në masën e "arrestit me burg" janë lënë shtetasit Tabele Patriot Beqaraj, Gjergj Markola, Indrit Matmuja, Adriatik Velaj, Muhamed Likaxhiu, Artan Taho, Riza Sulaj, Albion Bushi.
Masa e "arrestit në shtëpi” është dhënë për shtetasen Lulzime Rami dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasen Elona Rami.
Sipas SPAK, Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu dhe Artan Taho, në cilësinë e anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës, akuzohen për shpërdorim detyre.
Patriot Beqaraj, Gjergj Markola, Indrit Matmuja, me cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pranë Bashkisë Durrës, dyshohen për "Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ kryer në bashkëpunim.
Ndërsa shtetasit Albion Bushi, Elona Rami, Lulzime Rami dhe Riza Sulaj, administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim.
Sipas Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, zyrtarët e bashkisë së Durrësit dhe punonjësit e kompanive private kanë manipuluar garën për tenderin me vlerë të fondit limit prej 7 083 000 lekë në periudhën Maj-qershor 2020, për blerjen e një shkallë për zjarrfikësen e cila ende nuk ishte vënë në punë.
