A do e përjashtonit Berishën nga grupi parlamentar i PD? Kulluri: Nuk jam Lulzim Basha
“Një gjë që ka ndodhur në një rrethanë të caktuar nuk mund të ndodh në rrethana të tjera”- kështu është shprehur kandidati për kreun e PD Edvin Kulluri, kur është pyetur se çfarë qëndrimi do të mbante për liderin historik të PD Sali Berisha, i cili pasi është shpallur “Non Grata” nga SHBA, është përjashtuar nga grupi parlamentar i PD.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Anila Zyberaj, Kulluri është shprehur se këtë çështje e sheh në një këndvështrim ndryshe nga Kryedemokrati Lulzim Basha, ndërsa shton se kjo pyetje nuk vlen për kandidatët për kreun e PD.
Anila Zyberaj: Çfarë qëndrimi do të mbani ju ndaj Sali Berishës të shpallur “Non Grata” nga SHBA, do ta lini jashtë grupit parlamentar?
Edvin Kulluri: Një gjë që ka ndodhur në një rrethanë të caktuar nuk mund të ndodh në rrethana të tjera. Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar nga Lulzim Basha, sepse ky ka qenë i kërcënuar dhe i shantazhuar, e ka thënë me gojën e tij. Unë mendoj se kemi ardhur në këtë pikë për shkak të disa veprimeve seriale të Lulzim Bashës në kundërshtim të hapur me interesin e përbashkët strategjik të SHBA.
Berisha ka pasur një përgjegjësi sepse nuk ka folur në kohën e duhur, por kjo nuk ka rëndësi.
Kulluri shprehet se është ndryshe nga Basha, duke lënë të nënkuptohet se nuk do e përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar i PD.
Edvin Kulluri: Kështu unë e shoh ndryshe këtë çështje dhe nuk mund të japë përgjigje sikur të jem Lulzim Basha. Unë nuk jam Lulzim Basha, kjo pyetje vlen vetëm për të dhe jo për kandidatët.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.

