Ujë me orar dhe i ndotur në fshatrat e Vlorës, banorët: Nuk pihet, e blejmë
Ndërsa në Krujë është shënuar helmimi më i madh masiv i banorëve i regjistruar ndonjëherë nga uji në çezmat e shtëpive të tyre, dhjetëra fshatra në Vlorë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Uji jo vetëm që nuk shkon 24 orë siç ishte premtuar, por ai shkon i ndotur dhe i pakonsumueshëm. Banorët e fshatit Skroftinë ankohen për këtë situatë të krijuar, ndërsa apelojnë për ndërhyrje të Bashkisë.
Teksa në Krujë ka pasur një helmim masiv nga uji i pijshëm, këto janë pamjet që vijnë nga Vlora.
Përmes këtyre tubave shkon uji në rubinetat e familjeve të fshatit Skroftinë.
Banorët thonë se tanimë kanë ndaluar përdorimin e ujit për pije, pasi ai shkon i ndotur, dhe përdoret vetëm për larje.
"E blejmë ujin për të pirë se nuk bën ai. Sa për të larë e përdorim."
"Situata m ujin e pijshëm është më orar, por për të pirë nuk pihet."
"I pijshëm jo, nuk konsumohet. Çfarë s'ka, unë kam pastruar botin para një jave dhe kishte baltë brenda."
Në këto kushte ata thonë se janë të detyruar që të blejnë ujin për pije.
"E blejmë, vjen një makinë që na i sjell me bote."
"Paguajmë nga 1600 lekë për ujë."
Ata furnizohen nga Ujësjellësi i Novoselës, por dëmtimi i rrjetit ka shkaktuar jo pak probleme tek familjet e fshatit Skroftinë.
Për Fshatrat e Vlorës shpesh herë është premtuar që do të kenë ujë 24 orë në ditë, por kjo gjë mesa duket është larg së qenit realitet.
