Kumbulla i vetmi që riintegrohet te Roma, 4 “rezervistët” e tjerë mbeten në shtëpi

“Nuk fal lehtë dhe nuk harroj”, ishin fjalët e Jose Mourinhos për atë humbje turpëruese në Conference League ndaj Bodo Glimt me rezultatin 6-1. Trajneri portugez vuri fajin te lojtarët e stolit ku të gjithë zhgënjyen përfshirë edhe Marash Kumbullën.

Teksa 5 lojtarët e përjashtuar me Napolin u bënë çështje e madhe, sot Roma ka shpallur listën për ndeshjen me Cagliarin dhe ku shikohet se vetëm mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla është riintegruar nga trajneri portugez.

4 lojtarët e tjerë, Villar, Diawara, Reynolds e Mayoral kanë mbetur në shtëpi në Romë dhe nuk kanë shans të falen nga trajneri i cili ua ka bërë të qartë drejtuesve se në janar duhet të shiten ndërsa Kumbulla është i vetmi që siç duket ai ka dyshime.

Edhe drejtuesit ndoshta mendojnë se Kumbulla ka të ardhme dhe mund të rikuperojnë investimin e bërë dhe ndoshta një opsion është huazimi i lojtarit shqiptar në një ekip tjetër në Serinë A./Ora News/.