Ivan Balliu: U rrita te Barça por shumë pak ia dalin aty. Te Rayo jam i lumtur
Ivan Balliu është lojtar i kombëtares shqiptare, i dyti që luan në La Liga bashkë me Baren. Nëse ky i fundit erdhi nga ekipe të tjera për të luajtur aty, Balliu ka lindur në Spanjë dhe i formuar në një klub te madh si Barcelona.
Në një intervistë të fundit, lojtari shqiptar rrëfen aventurën me katalanasit dhe arsyen se përse nuk mund të qëndronte në një klub aq të madh për më tepër që ka luajtur në La Masia, teksa sfida e radhës me Vallecanon do të jetë pikërisht ndaj tyre.
“Te Barcelona jam stërvitur dhe kam miq shumë të mirë nga koha ime te katalanasit. Tani jam shumë me fat që mund të përballem me Barçën në nivelin më të lartë. Është e qartë se arritja në ekipin e parë të Barçës është shumë e vështirë. Të luash për Barçën është fantastike, por shumë pak ia dalin. Duhet të kesh fat dhe të jesh shumë i mirë.Unë kisha konkurencë me një si Dani Alves, i cili nga 70 ndeshje, luajti 68. Kur ke një mbrojtës të krahut që shënon kaq në nivel klubesh dhe kombëtaresh, është e vështirë ta zëvendësosh. Barcelona gjithmonë të frikëson, por ata e kanë humbur referencën e tyre, Messin, lojtarin më të mirë në botë. Për të fituar ndaj Barçës duhet të shfaqesh në versionin më të mirë dhe ata të jenë në një ditë të keqe …”.
29-vjeçari shprehet se ndihet i lumtur në aventurën e tij me Rayo Vallecanon ku thotë se ka besimin e trajnerit dhe se objektivi i vërtetë i tyre nuk është Europa.
“Për ne është e qartë se objektivi nuk është pjesëmarrja në Kupat e Europës, por të arrijmë mbijetesën sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi fituar shumë pikë, por nuk kemi pse të ëndërrojmë. Qëllimi ynë është ende mbijetesa, do të gabonim nëse do të mendonim ndryshe. Ndihem mire këtu, ftesa e Iraolas më bëri të merrja vendimin për të ardhur këtu sepse kisha oferta të tjera. Më tha se do të mbështetej tek unë, më prezantoi me stilin e tij të lojës dhe se si do të përshtatesha”, deklaroi lojtari shqiptar, Ivan Balliu./Ora News/.
