Ilir Daja: Gabuam por luajtëm mirë, ekipi vuan mungesën e fitores

Një Ilir Daja tepër i zhgënjyer u shfaq pas derbit të humbur. Trajneri i të kuqve analizoi disfatën ku nuk mund ta “përtypë” atë gabim të një mbrojtësi me eksperiencë si Belica teksa mendon se skuadra bëri lojë më të mirë në pjesën e dytë.

“Kemi humbur një derbi që u vendos nga një episod, pasi më vjen keq që një mbrojtës me eksperiencë si Belica shkakton faull në një situatë ku nuk ka asnjë rrezikshmëri. Nuk dua të justifikohem për mungesat që kishim, por më vjen keq për episodin. Besoj që për shumicën e kohës e kemi mbajtur kundërshtarin te gjysmëfusha e tij. Nëse do të kishim luajtur keq, do të flisnim ndryshe, por unë them se bëmë shumë mirë, ndonëse kishim shumë lojtarë të rinj dhe disa luanin për herë të parë një derbi. Besoj që do të dalim shumë shpejt nga kjo gjendje, pasi në fund të fundit, asnjë nga ekipet nuk na ka dominuar në fushë”.

Trajneri Daja shpjegoi edhe mungesën e Markut dhe se çfarë po ndodhë që ekipi vuan kaq shumë për të fituar….

Marku është një lojtar që mund të na shërbejë, por ndoshta akoma nuk është përshtatur, pasi ndryshon edhe stili i lojës që kemi ne, në raport me atë që ai ka bërë sezonin e kaluar te Vllaznia. Kemi gjëra për të rregulluar, por përjashto pjesën e parë ndaj Kukësit, në të gjithë ndeshjet e tjera, kemi qenë ne që kemi dominuar, ndaj kjo na jep qetësi psikologjike dhe mund të shkojmë aty ku duam me organikën që kemi. Nëse nuk do kishim humbur kaq shumë raste, pasi jemi ekipi që kemi goditur më shumë portat kundërshtare, sërish do të kishim më shumë pikë. Ekipi ka prodhuar shumë, por presioni për mungesën e fitores ndoshta na shton pak konfuzionin, pasi e shprehim kur shkojmë te porta kundërshtare. Do të punojmë që të rregullojmë finalizimin”, përfundoi trajneri i Partizanit pas humbjes në “Air Albania”./Ora News/.