Shehi: Rëndësi kanë 3 pikët. Partizanin nuk e nxorëm jashtë garës për titull

Orges Shehi u shfaq i kënaqur për 3 pikët e fituara në derbi që i japin skuadrës së tij kryesimin e vetme në renditje por trajneri i bardhebluve u tregua i matur duke mbajtur euforinë.

“Kemi ndryshuar skemën gjatë ndeshjes, pasi pamë Muratajn që i bashkohej treshes në sulm dhe nuk mund të rrezikonim, ndaj kaluam në rreshtimin 4-3-3 dhe mendoj se kemi bërë më mirë dhe jam i kënaqur që ia dolëm të marrim fitoren. Nga rëndësia që ka derbi, është primare të marrësh masat mirë në fazën mbrojtëse. Kemi bërë disa ndryshime gjatë ndeshjes, duke ndryshuar pozicionet e lojtarëve. Do të mundohemi të rrisim kualitetin, pasi në pjesën e dytë u tërhoqëm më shumë se duhet, por këto janë gjëra normale kur ka presion dhe kërkon të mos humbësh ndeshjen”.

Më pas Orges Shehi foli edhe për nivelin e lojës ku mungoi spektakli dhe për nxjerrjen jashtë garës për titull të rivalëve të përjetshëm.

“Mendoj se në derbi nuk ka shumë rëndësi spektakli, pasi nervat janë të tendosura dhe emocionet të shumta, ndaj jam i kënaqur me fitoren dhe për të tjerat do shohim në vijim. Duhej të luanim më shpejt topin, do ishte mirë ta kishim mbyllur ndeshjen, por nuk ia dolëm. Duhej të luanim më lart dhe rrezikuam pak pasi i lame hapësira Partizanit në pjesën e dytë. Unë mendoj se është ende herët të flasim për Partizanin jashtë garës për titullin. Ka 7 skuadra të mëdha dhe është shumë e rëndësishme të fitojmë ndeshjet direkte, por është herët të nxjerrim nga loja Partizanin”, u shpreh në reagimin e tij trajneri i bardhhebluve./Ora News/.