Pas kryqit i çojnë fadromat. Bashkia e Tiranës u shemb shtëpitë para syve: Po unë me fëmijët ku do jetoj?

Në lagjen “5 Maji” në Tiranë IMT dhe bashkia Tiranë kanë dërguar fadromat gjatë gjithë ditës së sotme për të shembur banesat të cilat preken nga projekti i rindërtimit. Bashkia e Tiranës ka caktuar atë zonë për ndërtimin e pallateve ku do të strehohen familjet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.

Një grua sheh si fadromat po ia shembin shtëpinë ndërsa përpara syve të saj veç dhimbjes ka dhe shumë pasiguri.

Me fjalë bashkia i ka premtur se do të japë bonus qeraje por ata sot nuk kanë asgjë.  

“Ata kanë ardhur. Kanë vënë kryqin, e për 2- 3 ditë na kërkuan që shtëpia të lirohet. Shtëpia u prish e ne nuk dimë ku do të jetojmë. Ku do të shkoj? Ai e prishi. Nuk kemi firmosur asgjë, as kontratë”

Gruaja i ka kërkuar të vëllait ndihmë për tu strehuar përkohësisht bashkë me dy fëmijët. Ka marrë dhe ato pak plaçka që mundi të shpëtojë po çfarë do të ndodhë më pas?

“Na kanë thënë do ju japim bonus. Shkojmë tek njësia 8. Ajo thotë që bonuset bëhen nga data 1 – 10.  Unë tani jam tek vëllai. Nuk dimë asgjë se ku do na çojnë çfarë do na japin” thotë gruaja në një prononcim për gazetaren e Ora News, Enxhi Musaj.

"Na kanë thënë ta paguajmë ne qeranë për momentin sa të dalë bonusi, po ku ti marrim ne?" thotë një tjetër banor.

Televizioni Ora News ishte sot paradite (26 tetor) atje për të përcjellë shqetësimin e banorëve të prekur nga projekti të cilët ishin shumë të paqartë se çfarë do të ndodhte me familjet e tyre, tani që shteti ia prishi shtëpitë.

Janë 40 familje që preken nga projekti.

Akuzojnë bashkinë e Tiranës dhe për mungesë transparence madje thonë se apartamentet e 10 pallateve që pritet që të ndërtohen në atë zonë kanë nisur të shiten pa u hedhur themelet.

“Po shiten me 1200 metri katrorë dhe u thonë atyre që e blejnë të hiqen sikur janë familje të prekura nga tërmeti” thotë një banor.

Ata nuk janë kundër të bukurës dhe as rindërtimit po tani që shtëpia iu shemb ata duan një përgjigje nga bashkia: Ku do shkojnë?

Bashkia nuk u ka dhënë asnjë zgjidhje për vendstrehimin e tyre të ardhshëm dhe as për kompensimin e pronave që po u shemben dhe në këto kushte kërkojnë vetëm drejtësi dhe dhënie informacioni.