Ngadalësohet ekonomia kineze, shkak ndërprerjet e energjisë dhe kriza e borxheve nga firmat e ndërtimit

Ekonomia e Kinës u rrit më pak se 5 për qind në tremujorin e tretë, pasi arriti mbi 18 për qind dhe gati 8 për qind në dy tremujorët e kaluar të 2021-it. Vendi ende nuk po gjen pajtim me SHBA-në për çështjet tregtare, por pandemia dhe problemet në tregun e brendshëm po e rëndojnë situatën në shtetin aziatik.

Ndërprerjet e energjisë, problemet me kërkesë-ofertën, rastet sporadike me kovid-19 dhe pasiguritë brenda dhe jashtë shtetit e ngadalësuan ekonominë kineze në tremujorin e tretë të vitit.

Të hënën, Byroja Kombëtare e Statistikave njoftoi se prodhimi i brendshëm bruto i Kinës u rrit me 4,9 për qind mes korrikut dhe shtatorit, rezultat ky më i dobëti për vitin 2021.

"Sipas tremujorëve, GDP-ja në të parin u rrit me 18,3 për qind nga vitit në vit, dhe mesatarisht 5 për qind në harkun dyvjeçar. Në tremujorin e dytë, rritja vjetore ishte 7,9 për qind apo 5,5 për qind në terma dyvjeçarë."

Një nga krizat që po kalon Kina lidhet me borxhet në sektorin e pasurive të paluajtshme, ku firma e ndërtimeve, "Evergrande", ka akumuluar mbi 300 miliardë dollarë hua ndaj bankave, furnitorëve dhe investitorëve të huaj.

Ndërkaq, si shumë vende të Europës, shteti aziatik po përballet prej javësh me çmime të larta gazi dhe qymyri, që i përdor për prodhimin e energjisë.

Për arsye financiare dhe mungesash, vendi ka ndërprerë furnizimin për shumë provinca, familje e fabrika.

"Përgjithësisht, ekonomia kombëtare e ka ruajtur inercinë e rimëkëmbjes. Por duhet theksuar se janë rritur pasiguritë në mjedisin ndërkombëtar, prandaj edhe më tutje ekonomia kombëtare ka për të qenë e paqëndrueshme."

Ekonomia kineze është e dyta më e madhja në botë pas Amerikës, por këtë vit edhe prodhimi industrial i vendit u ul në 3,1 për qind nga 4,5 për qind që parashikonin analistët, ndërsa shitjet u rritën në 4,4 për qind falë heqjes së më shumë masave kufizuese kundër pandemisë së koronavirusit.