Në fund të 2021 niveli i varfërisë do bjerë në atë para pandemisë. Rrezik borxhi publik, papunësia tek të rinjtë

Banka Botërore prezantoi sot raportin për Ballkanin Perëndimor.

Pas tkurrjes së ekonomisë me 4 për qind gjatë vitit 2020, për vitin 2021, parashikohet që rritja e PBB-së të shkojë në 7,2 për qind, një nga më e lartat në vendet e Ballkanit Perëndimor, thuhet në botimin e fundit të Raportit Periodik Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, “Rimëkëmbje e gjelbër”.

Kjo rimëkëmbje e fortë mbështetet kryesisht te konsumi, turizmi dhe ndërtimi. Në vijim, pritet që rritja të jetë në nivel mesatar prej 3,8 për qind për vitin 2022 dhe 3,7 për qind për vitin 2023.


“Në fund të vitit 2021, parashikohet që niveli i varfërisë në Shqipëri të bjerë në nivelin e para pandemisë” parashikon raporti duke shtuar se punësimi dhe pjesëmarrja e forcës së punës janë po ashtu drejt rimëkëmbjes, edhe pse me ngadalësi, dhe pagat reale po rriten.

Kujdes borxhin publik

BB tërheq vëmendjen për rritjen e shpenzimeve dhe rritjen e mëtejshme të borxhit publik.

Politikat ekonomike e kanë mbështetur këtë rimëkëmbje, por shtimi shpenzimeve ka çuar në rritje të mëtejshme të raportit të borxhit kundrejt PBB-së. Ndërkohë që pandemia COVID-19 vazhdon në mbarë botën, pasiguria mbetet e lartë.

“Borxhi publik mbetet i lartë në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor edhe në Shqipëri dhe do të jetë një nga sfidat për vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale. Perpektiva e rritjes ekonomike mbetet pozitive por me rreziqe. Në mjedisin e brendshëm faktor mbetet ecuria e pandemisë dhe e vaksinimi”

Në sektorin financiar një nga rreziqet mbetet rritje e kredive me problem. 

Rimekembja

“Gjatë vitit 2021, ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja inkurajuese të rimëkëmbjes”, u shpreh Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë megjithatë kjo rimëkëmbje mbetet e brishtë.

“Sinjalet paralajmëruese nga tregu i punës kërkojnë vëmendje të madhe me politika. Humbja e vendeve të punës për shkak të krizës dhe periudhës pasuese ka prekur shpërpjesëtimisht gratë dhe të rinjtë, çka mund të sprapsë përpjekjet për rritjen e shkallës, ndërkaq të ulët, të pjesëmarrjes së forcës së punës në rajon. Në vitin 2021, papunësia te të rinjtë në rajon shkoi në  37,7 për qind, duke u rritur me 5,4 pikë përqindje nga qershori i vitit 2020, çka përkeqësoi më tej perspektivat e punësimit të të rinjve.”

“Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor shohin përpara drejt së ardhmes pas pandemisë, politikat e tyre duhet të përqendrohen në heqjen e pengesave kryesore për shtimin e vendeve të punës dhe transformimin ekonomik, përfshirë tranzicionin e gjelbër”, u shpreh Linda Van Gelder, Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.