Krizë ushqimore pas energjetikes?! Prodhuesi i plehrave azotikë, "Yara", ul rendimetin me 40% prej kostove të larta

Rritja e çmimit të energjisë po prodhon një efekt domino te shumë industri, dhe tani rreziku paralajmërohet për sigurinë ushqimore. Një prej prodhuesve kryesorë të plehrave kimikë në Europë thotë se ka ulur me 40 për qind prodhimin dhe kjo mund të përkthehet në krizë e kosto vitin tjetër.

Kriza energjetike globale rrezikon të kthehet në një krizë globale ushqimore.

Shkak për këtë po bëhet çmimi i gazit në Europë, aq shumë i lartë sa një prej industrive europiane kyç, si ajo e plehrave kimikë, po e ulin prodhimin.

Svein Tore Holseter, presidenti i kompanisë norvegjeze "Yara", e cila prodhon përvit mbi 8 milionë tonë pleh azotik, thotë se është detyruar ta ulë rendimentin me 40 për qind për kontinentin europian dhe paralajmëron një situatë të rëndë me sigurinë ushqimore edhe në botë.

"Nëse fermerët nuk i hedhin tokës nitrat amoni, produkti nga të mbjellat e tyre bie me 50 për qind në korrjen e parë. Kështu mund të shkojmë shpejt nga kriza energjetike në krizë ushqimore, dhe kam frikë se po vazhdoi, do të kemi disa pjesë të botës në zi buke."

Plehrat artificialë u duhen shtuar të mbjellave pasi një pjesë të lëndëve të nevojshme ato e humbasin me dheun.

Por në tregjet botërore, çmimit i uresë që shërben për prodhimin e plehut, është tani 850 dollarë toni nga 260 dollarë që kushtonte një vit më parë.

Vlerës i shtohet edhe shumëfishimi i çmimit të gazit natyror në bursë, i cili përbën 80 për qind të kostos së prodhimit për kompanitë e plehrave.

Ekspertët thonë se këto zhvillime do të ndikojnë te prodhimi dhe kriza mund të ndjehet vitin e ardhshëm te ushqimet më të shtrenjta, kur dihet se në shumë vende, njerëzit i shpenzojnë 60 për qind të të ardhurave për t'u ushqyer.

Në shtator, çmimet e ushqimeve në nivel botëror u rritën me 33 për qind krahasuar me vitin 2020./Ora News/