Çfarë ndodhi me truallin e Cirkut Kombëtar? Artistët kërkojnë hetim nga KLSH
Artistët e Cirkut Kombëtar kërkojnë një hetim të thellë lidhur me atë çfarë ndodhi me truallin ku ishte vendosur për vite me radhë çadra e cirkut. Pas shembjes së çadrës një pjesë e artistëve ju drejtuan Kontrollit të Lartë të Shtetit për të kërkuar hetim.
Përmbaruesit kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës për heqjen e çadrës së cirkut kombëtar.
Tashmë artistët nuk kanë një vend ku të performojnë.
Të gjendur pa një rrugëzgjidhje artistët kanë bërë dy ankesa.

"Sot është vullneti e artistëve të Cirkut Kombëtar si palë e interesuar që të jepet një e vërtetë më logjike në lidhje me çfarë ka ndodhur me truallin prej 1073 metrash katrorë. Sot jemi një pjesë e artistëve që firmosëm këtë denoncim, një pjesë tjetër ndodhen në cirk sepse arena është demoluar e gjitha, nuk ekzistion më. Presim nga KLSH të bëjë një hetim më gjithëpërfshirëes për atë çfarë ka ndodhur dhe për këtë situatë absurde që ndodhi para dy ditësh".
Një ankesë ka të bëjë me neglizhencën e Cirkut Kombëtar nga institucionet përkatëse si dhe ankesë për Drejtorin e institucionit për faktin se pse shkresa e për shembjen e tij ka mbetur në zyrë për 18 muaj, duke mos bërë asnjë veprim.
"Ne sapo dorëzuam një dokument zyrtar, një denoncim. Brenda dokumentit janë dy denoncime. Një ka të bëjë me neglizhencën e institucionit të Cirkut Kombëtar dhe kujt do tjetër, lidhur me 1073 metra katrorë. Pse nuk është vepruar për 18 muaj, pse kjo shkresë është mbajtur në zyrë. Ne kërkojmë një hetim më gjithëpërfshirës se sa vetëm një vërejtje për titullarin.
Në denoncimin e dytë kemi bërë një denoncim kundrejt titullarit të Cirkut Kombëtar, për mos përcjelljen e shkresës për 18 muaj.
Gjithashtu dhe një denoncim me 7 pika për të gjitha abuzimet me detyrën në mënyrë flagrante, të vërtetuara me fakte, me prova, me zë dhe me figurë. Të gjitha këto janë në Ministrinë e Kulturës dhe ne sot po i sjellim pranë kontrollit të lartë të shtetit, sepse për denoncimin e dytë, ne nuk kemi përgjigje nga Ministria e Kulturës, sepse hetimi vazhdon.
Ndërsa për denoncimin e parë është thjesht një vërejtje kundrejt titullarit, domethënë një humbje e pronës publike prej 5 milionë eurosh kalon thjesht me një vërejtje, sikur ka ardhur thjesht 5 minuta me vonesë", tha artisti për Ora News.
Gjatë ditës së djeshme artistët kanë zhilluar dhe një takim me drejtorin e kabinetit të Ministres së Kulturës ku ju premtua për një zgjidhje por pa ju caktuar një afat sa i përket përgjigjes për fondin dhe truallin e Cirkut të ri.
"Ditën e djeshme ne patëm një takim me drejtorin e kabinetit me porosi të Ministres, po punohet për gjetjen e një ambjenti për vazhdimësinë e stërvitjes dhe aktivitet të Cirkut Kombëtar. Jemi në pritje të Ministres që të na gjejë një ambjent që e shtuna dhe e diela të na gjejë me shfaqje. Ndërkohë kërkojmë përshpejtimin e hapave për gjetjen e një trualli ku të ndërtohet Cirku Kombëtar."
