Nga kërkimi i numrit të një vajze, deri te lejimi i dasmës, jepet masa për 10 policët e ndalur
Seanca kundër policisë ka zgjatur 4 orë në gjykatën e Tiranës kundrejt 6 policëve të Korçës dhe 4 atyre të Tiranës.
Ata kanë dalë para gjykatës dhe u njohën me masën e sigurisë. Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj bëri me dije se për shefin e komisariatit të Korçës, Krenar Gjokutaj është dhënë masa detyrim paraqitje.
Ndërsa për shefat e qarkullimit rrugor, Klemenc Pikuli, Genc Hysaj, Qerim Akrobati dhe Kamber Kllogjeri është dhënë masa pezullim nga detyra dhe detyrim për paraqitje.
Nga efektivët e Tiranës vetëm Durim Murrja është lënë në burg, ndërsa për Jashar Shehun dhe Arjan Ballën u dha vetëm arrest shtëpie.
Ndërsa për efektiven Matilda Hamullari është dhënë masa pezullim nga detyra.
Kanë qenë përgjimet e bëra nga prokuroria e Tiranës ato që futën në kurth efektivët e policisë.
Polici Durim Murrja ka bërë një telefonatë nga Polici tjetër Jon Burri i cili ka kërkuar numrin e një vajze me automjet Toyota që ky e kishte parë në lavazh.
Mësohet se Murrja ka hezituar fillimisht, por pas këmbënguljes së kolegut të tij ai ka kërkuar ndihmë nga Matilda Hamullari që t’i jepte të dhënat.
Këta efektivë policie kanë shkelur ligjin duke cenuar të dhënat personale të një personi.
Po ashtu efektivët e Tiranës kanë lejuar një aktivitet në një lokal në Shkozë të kryeqytetit, ku po zhvillohej një dasmë.
Murrja dhe Balla kanë gënjyer sallën operative pasi kanë qenë vetë të ftuar në këtë gëzim familjar.
