Doza e tretë e vaksinës anticovid, Domi: Nuk shoh avantazh afatgjatë

Komiteti Teknik i Ekspertëve ditën e sotme( 22 tetor) miratoi dozën e tretë të vaksinës anticovid për personat mbi 60 vjeç.

Drejtori i Zhvillimi të Vaksinave në Geovax,  Arban Domi në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, me gazetaren Sonila Musai u shpreh se bërja e dozës së tretë do të japë disa avantazhe, por duhet të jetë e kufizuar si në kohë ashtu dhe në efikasitet për arsye se nuk është gjë tjetër, por e njëjta vaksinë që është bërë edhe në dy dozat e para.

Domi: Efikasiteti në lidhje me infektivitetin është vërtetuar që bie pas 4 dhe veçanërisht pas 6 muajsh në nivele relativisht të ulëta. Nuk shoh ndonjë avantazh afatgjatë, ndërkohë që dhe pas 2 dozave vaksinat janë mëse efikase në lidhje me sëmundjen jo me efikasitetin. Doza e tretë nuk është shumë e nevojshme, përveç rasteve shumë të veçanta, nuk do të japë ndonjë element mbrojtës shumë të lartë.

Domi u shpreh se doza e tretë e vaksinës nuk do japë efikasitet për grupmoshat e shëndetshme, ndërsa për ata me probleme shoqëruese do t'i ndihmojë gjatë periudhës së dimrit. Megjithatë Domi nuk e shikon si zgjidhje afatgjatë pasi sipas tij nuk mund të vaksinohesh çdo 6 muaj.

Domi tha se numrat e të infektuarve janë rritur në krahasim me 5 javë para, megjithatë numrat nuk janë domethënës për sa kohë që shtrimi ën spital dhe vdekjet nuk do shoqërohen me rritje. Shtrimet në sptal dhe vdekjet janë më të ulëta, sipas tij.

Domi: Vaksina nuk të mbron nga infeksioni, por të japin avantazh që mos shtrohesh në spital dhe akoma më tepër një avantazh për mos pasur fatalitete.

Për sa i përket vaksinimit të fëmijëve mbi 16 vjeç, Domi u shpreh se përveç fëmijëve me sëmundje shoqëruese  dhe imunitare, nuk është shumë e nevojshme pasi incidenca mund të jetë rritur në krahasim me një vit më parë, por shtrimet në spital nuk kanë ndryshuar, janë të ulëta.

Domi: Vdekjet janë pothuajse jo ekzistuese, vaksina nuk i jep ndonjë avantazh fëmijëve në raport me sëmundjen.

Sipas Domit vaksina duhet t'i jepet fëmijëve me risk më të lartë dhe sipas tij nuk duhet të përdoret vaksinimi i gjerë i kësaj grupmoshe.

"Unë jam kundër"," u shpreh ai.

Intervistoi Sonila Musai, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku