Dyfishohen problemet me shikimin te fëmijët, okulistja: Shkak përdorimi i pajisjeve elektronike
Përdorimi i tepërt i smartfonëve për lojëra të ndryshme ka sjellë dyfishimin e fëmijëve që kanë probleme me shikimin. Gjashtë vite më parë shënoheshin vetëm 20 për qind e të vegjëlve me probleme, por tashmë rreth gjysma e tyre kanë nevojë për ndihmën e okulistit.
Mjekja Nora Burda sqaron se kryesisht problemet kanë të bëjnë me shikimin nga larg.
"Për t'i trajtuar ato në fëmijët e moshave parashkollore dhe shkollore ne kemi parë që problematikat vijnë në rritje. Rreth 50% e fëmijëve që ne vizitojmë në klasë të parë ose në parashkollor paraqesin probleme të refraksionit, pra probleme me pamjen" tha Burda.
Shqetësim në këtë periudhë janë edhe alergjitë e syrit, për shkak të së cilës shfaqen skuqje dhe lotim të syrit, këto të shfaqura jo vetëm te fëmijët por te të gjitha grupmoshat.
"Është vënë re një shtim i rasteve të pacientëve që paraqesin probleme me inflamacionet alergjike të syve. Kanë lotim të shprehur, fotofobi, bezdi ndaj dritës, skuqje të syve, ndjesi të gërvishtje në sy," tha mjekja.
Mjekja Burda këshillon kryerjen e disa ushtrimeve, në mënyrë që të shmanget përkeqësimi i shëndetit të syrit.
"Fëmijëve deri në moshën 6 vjeç nuk i rekomandohet të rrinë më shumë se 20 minuta. Një orë para gjumit kalamajtë nuk duhet të rrinë me pajisje elektrike sepse i prishet cikli i gjumit. Është një rregull tjetër pastaj 20-20-20 që do të thotë nëse unë do rri 20 minuta në kompjuter 20 sekonda do hedh vështrimin larg dhe do i rikthehem kompjuterit," tha Burda.
Ndryshe nga disa vite më parë, këtë vit fatmirësisht nuk janë vënë re shqetësime lidhur me infeksionet bakteriale te fëmijët, megjithëse nuk kanë munguar grumbullimet në shkolla kopshte dhe çerdhe./OraNews/
