Vaksina “derë më derë”, 23 mijë të vaksinuar nga 58 mijë banorë që ka Kukësi

Rreth 23 mijë persona janë vaksinuar kundër koronavirusit nga rreth 58 mijë banorë që ka bashkia e Kukësit. Procesi tashmë është intensifikuar me vaksinim derë më derë, ku në fokus janë të rinjtë dhe të pavendosurit.

Grupet e lëvizshme të vaksinatorëve kanë nisur fushatën në Kukës për të vaksinuar popullatën kundër Covid-19. Përveç personave të pamundur për të lëvizur nga banesat e tyre, grupet e vaksinatorëve po sensibilizojnë edhe pjesën tjetër të popullatës, në veçanti studentët dhe të rinjtë për të marrë vaksinën.

Në përpjekjen për të imunizuar të gjithë popullatën kundër Covid-19 në Kukës nisi vaksinimi derë me derë në qytet e fshatra.

"Infermierë e vaksinatorë kanë lëvizur në këmbë në të gjithë qytetin e Kukësit për të lajmëruar paraprakisht të gjithë pacientët derë më derë. Dje ka ardhur në ndihmë një makinë pranë njësisë vendore".

Koordinatorja, Orsela Basha, thotë se deri më tani procesi ka ecur me ritme të kënaqshme tek të sëmurët kronikë.

Por përqindja e popullatës së vaksinuar është më pak se gjysma.

Nga 58 mijë banorë, deri më tani janë vaksinuar me dy doza vetëm 23 mijë prej tyre.

"96.7% janë të vaksinuar dhe shifra për studentët ka shkuar në 40.7%".

Objektivi është që deri në pranverën e vitit të ardhshëm të përfundojë vaksinimi i të gjithë popullatës.

Por në disa bashki procesi po ecën me ritme të ngadalta dhe një pjesë e banorëve po e shmangin imunizimin me vaksinë ndaj sëmundjes vdekjepruresë.