Vaksinimi na kushtoi 14 milionë dollarë në 4 muajt e parë të vitit

Qeveria shqiptare ka shpenzuar nga buxheti i shtetit për katër muajt e parë të viti rreth 14 milionë dollarë për të siguruar dozat e vaksinave. Sipas  ministrisë së Financave kostoja e vaksinimit për një qytetar është 28 mijë lekë të vjetra, ndërsa ndihma që Shqipëria i dha Italisë në përballimin e pandemisë me staf mjekësor na ka kushtuar rreth 180 milionë lekë.

Shqipëria ka shpenzuar rreth 1.4 miliard lekë të reja për vaksinimin e qytetarëve në 4-mujorin e parë të këtij viti. Në raportin e monitorimit financiar të ministrisë të Shëndetësisë thuhet se për periudhën janar-prill janë vaksinuar 499.308 persona dhe shpenzimet për çdo të vaksinuar llogariten rreth 2800 lekë.

Vaksinimi në Shqipëri për mbrojtjen nga virusi Covid-19 nisi më 11 janar të këtij viti dhe gjatë kësaj periudhe janë kryer në total 1.842.661 doza të vaksinës.

Dhe për katër muajt e parë të këtij viti kur dhe nisi zyrtarisht fushata e vaksinimit në Shqipëri janë shpenzuar rreth 14 milionë dollarë për të siguruar dozat e para të vaksinës.

Duke iu referuar raportit të monitorimit financiar të ministrisë së Shëndetësi rezulton se numri i qytetarëve që ka kryer të dyja dozat e vaksinës ka arritur 860.194.

Në raport thuhet se gjatë 4 muajve të parë të 2021 janë trajtuar financiarisht me bonusin e Covid-19, 341 persona, pjesë e personelit mjekësor dhe jo mjekësor.

Shpenzimet për trajtimin me bonus kanë arritur rreth 44 milionë lekë dhe kostoja e përllogaritur për çdo anëtar të stafit mjekësor apo jo mjekësor arrin vlerën 129 mijë lekë.

Ndërkohë, trajtimi i rreth 74 mijë pacientëve të shtruar në spitale i ka kushtuar shtetit shqiptar 8.2 miliard lekë.

Sipas raportit të ministrisë së Shëndetësisë për 60 mjekët dhe infermierët e dërguar në Itali për shkak të situatës së pandemisë në vendin fqinj janë shpenzuar 18.4 milionë lekë të reja me një bonus prej 307 mijë lekë për secilin.

Kujtojmë se qeveria ka ndërhyrë disa herë në buxhetin e shtetit të viti për të siguruar doza të tjera të vaksinave anticovid. Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në vendin tonë kanë mbërritur 2.379.960 doza./OraNews/