Një në 7 meshkuj preken nga kanceri i prostatës, në Shqipëri shqetësues diagnostikimi i vonë
Një në 7 burra në botë preken nga kanceri i prostatës. Mjekët thonë se këto raste paraqiten në gjendje të rëndë dhe me vonesë në spitale. Grupmoshat mbi 50 vjeç janë me të rrezikuara, ndërkohë specialistët këshillojnë kryerjen periodike të kontrolleve për të shmangur agravimin e sëmundjes.
Një në 7 burra në botë preken nga kanceri i prostatës. Shifrat janë shqetësuese edhe në Shqipëri ku inflamacioni, zmadhimi dhe kanceri i prostatës janë më të shpeshtat. Me shqetësim shikohet fakti se të prekurit paraqiten te mjeku në gjendje të agravuar.
Spiridon Guvalis, shef i Departamentit të Urologjisë në spitalin Hygeia sqaron se më të prekurit janë burrat mbi 50 vjeç.
"Problemet me prostatën prekin më së shumti meshkujt mbi 50 vjeç dhe ky fakt konfirmohet edhe nga statistikat botërore për këtë grupmoshë ku rezulton se:
- 7 në 10 meshkuj preken nga zmadhimi i prostatës
- 1 në 2 meshkuj preken nga inflamacion i prostatës
- 1 në 7 meshkuj preken nga kanceri i gjëndrës së prostatës".
Mjeku Guvalis këshillon që me shfaqjen e shenjave të para, si dhimbje ne zonën e legenit dhe ndjesi urinimi e shpeshtë, duhet që të kryejnë kontrolle.
"Ne rekomandojmë qe kontrollet të kryhen çdo vit për grupmoshat mbi 50 vjeç ose nëse vini re simptoma te tipit:
- Vështirësi ose dhimbje gjatë urinimit;
- Njolla gjaku në urinë;
- Ejakulim i dhimbshëm apo edhe humbja e oreksit dhe rënie në peshë."
Mjekët sqarojnë se në rastet e diagnostikimit të kancerit të prostatës në fazat e hershme të tij, probabiliteti i trajtimit të suksesshëm të kësaj patologjie arrin në 95% në raport me 20% sukses në trajtimin e saj në rastet e diagnostikimit në stade më të avancuara./OraNews/
