Manastirliu në Universitetin e Durrësit: Vaksinohuni që t'i kthehemi normalitetit
Rikthimi i studentëve në auditore do të varet nga pajisja e studentëve me certifikatën e vaksinimit anticovid.
Në javën intensive të vaksinimit të studentëve, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu kërkoi nga të rinjtë që të vaksinohen për një proces mësimor më të sigurt.
"Vërehet që kemi interes të shtuar dhe fakti që ne kemi shkuar në çdo universitet sepse duke filluar nga java tjetër duhet që të paraqesin kartën e vaksinimit për vijimin e procesit normal mësimor," tha Manastirliu.
Vetëm studentët me pasaportë të gjelbër mund të lejohen në auditore, thotë rektorja e universitetit të Durrësit, Kseanela Sotirofski.
"Ne kemi një bazë të dhënash mbi numrin e studentë të vaksinuar deri tani dhe nuk është në nivelin që ne duam dhe nuk është në nivelin 100%. Megjithatë interesi i madh i studentëve sot dhe dje ka qenë i konsiderueshëm. Ne mendojmë që mësimi nuk mund të vijojë më online, efektiviteti i mësimit online nuk është i njëjtë me mësimin në auditor," tha Sotirofski.
Në udhëzimin e datës 29 shtator i publikuar në fletoren zyrtare, përcaktohet vetëm pjesëmarrja e studentëve me pasaportë të vaksinës anticovid, por askush nuk sqaron se çfarë do të bëhet me ata që nuk pranojnë të marrin këtë dozë kundër virusit.
Duket se edhe vetë ministria e Arsimit është e paqartë se çfarë vendimi të marrë, pasi mësimi alternativ online nuk përcaktohet më në udhëzime./OraNews/
