Viktimat e Covid “u fshehën”, drejtori i OBSH në Shqipëri: Ka të infektuar që nuk vetëdeklarohen

Bilanci zyrtar i viktimave dhe numri i infektimeve  ne vendin tonë nuk përputhet me shifrat reale të pandemisë të raportuara nga ministria e Shëndetësisë.

Drejtori i OBSH në Shqipëri, Gerald Rockensburg, thotë se kjo mospërputhje vjen pasi qytetarët nuk regjistrohen si të prekur me Covid, situatë kjo e njëjtë edhe për vende të tjera.  

"Nuk është vetëm për Shqipërinë, por shumë vende janë hasur me problematikën e mos-raportimeve të shifrave të Covid. Kjo ndodh edhe se qytetarët nuk regjistrohen ën strukturat shëndetësore. Në lidhje me shifrat duhet të bëhen studime më të detajuara dhe kjo po vazhdon në disa vende të botës, por mos harrojmë se Instituti i statistikave raportoi shifra të shtuara vdekjesh për 2020-ën të cilat janë si pasojë e Covid. Ne na duhen studime të mirëfillta," tha ai.

Drejtori i OBSH për vendin tonë  apelon qytetarët të vaksinohen kundër Covid-19. Në lidhje me skeptikët ndaj vaksinës kineze, Rockensburg  thotë se Sinovac është  e sigurt dhe ofron mbrojtje të mirë ndaj virusit.

 Ndërkohë po punohet për njohje më të gjerë të saj.

"Vaksina Sinovac po ofron një mbrojtje shumë të mirë për popullatën ndaj është një vaksinë e sigurt dhe e efektshme. Fakti që disa shtete nuk e njohin është një vendim individual i tyre, por ne po punojmë për të garantuar njohjen e tyre. Vaksina kineze është miratuar për përdorimin emergjent dhe është aprovuar edhe nga OBSH," shtoi Rockensburg

 Deri në fund të këtij viti organizata botërore e shëndetit pret që rreth 40% e shqiptarëve të vaksinohen, ndërsa në mesin e viti të ardhshëm të jenë imunizua rreth 70% e popullatës./OraNews/