Nisin aktivitetet në nder të “Homerit” shqiptar, përkujtohet 150-vjetori i At Gjergj Fishtës
Në Lezhë kanë nisur aktivitetet në nderim të At Gjergj Fishtës. Në 150 vjetorin e lindjes së Homerit shqiptar, atje janë ndarë çmimet “At Gjergj Fishta” për 4 gazetarë me kontribut në fushën e medies.
Këtë vit shënohet 150 vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës, një personalitetet i madh i Kombit dhe Kishës shqiptare.
Siparin e aktiviteteve e ngriti Unioni i Gazetareve, ku u akorduan çmimet "At Gjergj Fishta", për 4 gazetarë që kanë kontribuar në fushën e medies, Frano Kulli, Ndue Dedaj, Ndue Dragusha dhe i ndjeri Preng Baloj.
"Është një surprizë vërtet e këndshme," u shpreh Kulli.
"Është një nder dhe privilegj shumë i madh për mua të tërheq një çmim për një mirditor," u shpreh gazetarja Aurora Nikolli.
"Kjo ishte si një punë karikimi ose ringarkimi me energji të reja për të punuar në vazhdim," tha gazetari Ndue Dragusha.
"Më vjen mirë që ai nuk është harruar," tha gazetari Martin Dedaj.
Organizatoret dhe të pranishmit vlerësuan maksimalisht këtë veprimtari që synohet të kthehet në traditë të përvitshme.
"Të sjellim në vëmendjen tonë si një stimul për atë që unë e konsideroj ambicie profesionale të komunitetit tonë, një nga emrat më të mëdhenj emblematikë të kulturës shqiptare," tha kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa.
Aktivitetet në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës kulmojnë të shtunën.
