Filmat shqiptarë në Romë, prezantohen “Zgjoi”, “Berni ecën vetë” dhe “Mimoza llastica”
Tri vepra kinematografike shqiptare u prezantuan në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit që po mbahet në Romë në datat 14 deri 24 tetor. Filmi "Zgjoi" i regjisores kosovare Blerta Basholli por edhe ata shqiptarë "Beni ecën vetë" e "Mimoza llastica" përfaqësuan artin shqiptar në këtë event që u mbajt në zbatim të protokolleve anti-Covid si një shpresë për ringjalljen e kinematografisë së goditur nga pandemia.
Tre filma filma shqiptarë u prezantuan në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, i cili zhvillohet në Auditoriumin e Muzikës në kryeqytetin italian Romë, nga 14 tetori deri më 24 tetor.
Filmi "Zgjoi" i regjizores kosovare Blerta Basholli nën interpretimin e aktorëve Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, rrëfen historinë e një gruaje qe ka humbur bashëkshortin gjatë luftës në Kosovë dhe e vetme së bashku me fëmijët i duhet të përballojë dhimbjen dhe vështirësitë ekonomike përballë problematike të një shoqërie patriarkale.
Vepra e regjisores kosovare është pjesë e 23 filmave në garën zyrtare të këtij Festivali, i cili në këtë edicion të 16 të tij, ka zgjedhur si imazh aktoren amerikane Uma Thurman për interpretimin e saj në filmin "Kill Bill".
Vështrimi hipnotizues i aktores amerikane përcjell energji, pasion liri e është portreti i një gruaje të fortë në kërkim të realizimit të ëndërrës e të rilindjes së saj.
Pjesë e këtij Festivali, jo në garën zyrtare, janë bërë dhe dy filmat shqiptarë "Beni ecën vetë" e "Mimoza llastica" të regjisores së njohur Xhanfize Keko, të cilët janë prezantuar në seksionin "Alice nella citta", dedikuar kinemasë internacionale për të rinjtë.
Festivali i Filmit në Romë vlerëson çdo vit filmin më të votuar nga publiku me anë të një sistemi elektronik për çdo spektator në sallë.
Çmimi i Karrierës në edicionin e sivjetshëm iu dha regjisorëve amerikanë Quentin Tarantino e Tim Burton.
Johnny Depp, Angelina Jolie, Jessica Chastain, Frank Miller, Quentin Tarantino, Tim Burton, Joe Wrigh, Carlo Verdone, Gabriele Muccino, Claudio Baglioni, Achille Lauri, Madame, e shumë të tjera janë disa nga emrat e njohur të kinematografisë botërore, artit e muzikës italiane, të pritur në tapetin e kuq të këtij Festivali.
Me green pass-et në duar, maska në fytyrë, e distancim social nga njëri-tjetri, Festivali i Filmit Ndërkombëtar në Romë ka rikthyer publikun në sallat e kinemasë me dëshirën e fortë që industria kinematografike të rilind pas këtyre muajve të vështirë për të gjithë njerëzimin.

