Piktura e Luan Boriçit, poezi që nuk mund ta shprehësh dot me fjalë...

Me një spontaneitet të habitshëm dhe ekspresivitet mrekullisht imponues në tërësinë e komponentëve përbërës, piktura e Luan Boriçit është e tëra një poezi.

Është poezi ku imagjinata, përfytyrimi, përjetimi, ndjesia e veçantë dhe mjeshtëria e të shprehurit, nuk të lenë shteg tjetër përpos mënyrës me të cilën na e ofron veprën e vet piktori.

Thënë ndryshe, piktura e Luan Boriçit është poezi që nuk mund ta shprehësh dot me fjalë.
Ndër artet, piktura të jep mundësinë ta “lexosh” atë në mënyrë krejt individuale e ta personalizosh në varësi me shijen, formimin dhe cilësinë se si e percepton.

Piktura e Luan Boriçit, poezi që nuk mund ta shprehësh dot me

Kësisoj, pa pretenduar të bëj ndonjë definicion prej specialisti pasi nuk jam i atillë, mendoj se në pikturën e Luan Boriçit drita ka një vlerë të veçantë.

Madje nuk e teproj po të them se ka një vlerë parësore dhe përcaktuese në cilësinë e veprës, aq sa më sjell ndërmend një shprehje të piktorit të njohur gjermano-amerikan Hans Hoffmann, i cili thoshte se “në natyrë drita krijon ngjyrën, ndërsa në pikturë ngjyra krijon dritën”.

Edhe në pikturën e Luan Boriçit, ngjyra krijon dritën.
Pa stisje, por me një natyrshmëri të beftë dhe linja që harmonizohen e shkrihen gjithë elegancë edhe kur piktori zgjedh kontrastin si mjet të shprehjes së gjendjes së vet, Luan Boriçi ia ka dalë të krijojë profilin e një artisti me individualitetin dhe cilësinë e përfaqësuesit të rendit të parë në brezin e tij.