Turistët rusë u asfiksuan nga klori? Familjarët tërheqin trupat e pajetë nga morgu

Një javë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në SPA-në e hotelit "Gloria Palace" në Qerret të Kavajës, ku katër turistë nga rusia u gjetën të pa jete, trupat e viktimave janë tërhequr nga familjarët.

Në orët e vona të mbrëmjes së 21 tetorit trupat e 4 turistëve ruse, u përcollën në Rinas dhe më pas janë nisur për në Rusi me nje fluturim te rregullit.

Lajmi konfirmohet per RTV Ora nga Mjeksia Ligjore por edhe nga Ambasada Ruse, e cila sqaron se në bazë të legjistacionit Rus mund të kryhet edhe nje akt-ekspertizë shtesë në Rusi për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së katër turistëve nga Rusia.

Në deklaratën e ambasadës thuhet se shpresojnë në daljen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare të shkaqeve te vdekjes.

Por ekspertiza paraprake e autopsisë e kryer nga Mjekësia Ligjore në Tiranë ka përcaktuar se vdekja se 4 turistët mund të jetë shkaktuar si pasojë e asfiksimit nga përbërës te klorit.

Por ndërkohë priten edhe përgjigjet e ekspertizave të tjera të ujit, analizat toksikologjike dhe të solucioneve të përdorura në hotel për të përcaktuar shkencërisht shkakun e humbjes së jetës në të njëjtën kohë të katër shtetasve nga Rusia.

Dy bashkëshortët e familjes Burenkova së bashku me vajzën e tyre dhe të fejuarin e saj, ndodheshin në Shqipëri së bashku me një grup turistësh dhe ishin akomoduar në "Gloria resort" në Qerret të Kavajës. Më 15 tetor katër shtetasit e huaj u gjetën të vdekur në ambientet e SPA së këtij hoteli ndërkohë që shkaku zyrtar i vdekjes pritet nga autopsia përfundimtare.

Viktimat janë
 
Natalia Burenkova, 58 vjeçe,
Sergei Burenkova, 60 vjeç,
Nikita Belousov, 37 vjeç
Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.