"Toka e cirkut me vlerë 5 mln euro", Artistët dorëzojnë dosjen në KLSH: Gjeni përgjegjësit

Artistët e Cirkut të cilët prej dy ditësh nuk kanë më ku të ushtrojnë aktivitetin e tyre kulturor shkuan sot në KLSh për të dorëzuar atë që e quajnë dosjen e rrëmbimit të tokës.

Ata kërkojnë një hetim të thelluar nga KLSh për për të zbuluar autorët përgjegjës të zhdukjes nga duart e shtetit të një prone 1073 metra katrorë që siç thonë ata ka vlerën e 5 mln eurove.

Julian Kazazi kreu i sindikates se Cirkut Kombëtar në një intervistë mbrëmë në studion e Ora News denoncon dhe faktet pse duhet hetuar dosja nga KLSh.

“Bazuar në fakte e prova ka humbur një pronë publike me vlerë 5 milionë  euro dhe nuk mban përgjegësi njeri.  Ka humbur një pronë publike ku nga 11 gjyqtarë që e kanë gjykuar 9 janë shkarkuar nga vetingu. Ka humbur një pronë publike kur në momentin që është marrë vendimi cirku ka qenë pa titullar.

 Në momentin që vendimi ka ardhur në institucion është mbajtur prej 18 muajsh nga titullari i ri duke humbur të gjitha afatet gjyqësore. Nga ana e ministrisë së Kulturës nuk janë paraqitur në gjykatë. Do i kërkojmë KLSH një hetim gjithëpërfshirës të mbajnë përgjegjësi kushdo person që ka gisht në humbjen e kësaj prone."

Nga ministria e Kulturës u është premtuar lirimi i një ambienti palestër.

Julian Kazazi, kreu i sindikates se Cirkut Kombetar akuzon ministrinë e Kulturës se nuk ka kryer veprimet e duhura në Gjykatë për të mbrojtur këto ambiente

“Ministria e Kultures i la institucionet e kulturës të katandisen si mos më keq. Galeria e Arteve, Teatri Kombetar, nga ana tjeter Cirku. Ose ish ministrja e Kultures e ka lene te katandisen ku te gjitha institucionet të kenë probleme ose ministrja e tanishme e Kultures ka deshtuar. Pasi nëse nuk ka institucion arti i bie që të mbyllet dhe ministria e Kulturës."