"Nuk jam lejuar të publikoj lajme kritike ndaj bashkisë Tiranë as zërat kundër shembjes së Teatrit", censurimi i mediave në Shqipëri
Barometri për lirinë e medias gjatë 2020 në vendin tonë i realizuar nga Komisioni Shqiptar i Helsinkit konfirmon edhe shqetësimet e adresuara në progres-raportin e Komisionit Europian mbi lirinë e medias.
49.5% e të anketuarve pohuan se ishin censuruar, pasi u ishte kërkuar direkt nga pronari apo përmes redaktorit apo kryeredaktorit, të mos publikonin një lajm.
Në këtë kategori, 40% e të anketuarve specifikuan rastet kur kjo kishte ndodhur, kryesisht për ngjarje apo çështje që kanë qenë në vëmendje publike së fundmi.
Ndër rastet e përmendura si censurë janë raportime për koncensionet për ndërtimin e inceneratorëve për menaxhimin e mbetjeve, interesa që preknin rrethin shoqëror apo të lidhura me biznesin në raport me punëdhënësin, protestës dhe çështjes së lidhur me prishjen e Teatrit Kombëtar, etj.
“Nuk jam lejuar të publikoj lajme kritike ndaj Bashkisë Tiranë, hera e fundit ishte kur bëra kronikë për një protestë të një grupi qytetarësh pasi u hoqën abonetë e përgjithshme, shefi im ma censuroi lajmin duke më thënë se kisha shkuar me kokën time në protestë edhe pse më kishte dërguar atje redaksia”, shprehet një prej të anketuarve.
Një tjetër i anketuar thotë se:
“Për më shumë se 15 vite punë rastet janë shumë. Po përmend më të fundit: Zërat kundër, pas shembjes se godinës së Teatrit Kombëtar”.
Ndër të pyeturit, ka edhe prej atyre që bëjnë të qartë se kishin frikë se do të penalizoheshin nëse do të tregonin raste të censurës.
Lidhur me sa më sipër 33.5% pranuan se u ishte dashur të linin në mes një hulumtim apo punën për realizimin e një lajmi.
Shqetësues është fakti se 8% e të pyeturve pranojnë se u ishte kërkuar të publikonin lajme të rreme, ndërkohë që 7.5 % e të pyeturve nuk ishin të sigurt nëse kjo kishte ndodhur.
Vetëcensura, edhe pse me ndryshim të vogël nga censura është më e pranishme sipas përgjigjeve të të anketuarve. 52% thanë se ata kishin shmangur raportimin e një lajmi për shkak se kishin menduar se ai nuk do i pëlqente punëdhënësit, 42% thanë se kjo nuk kishte ndodhur dhe 6% nuk ishin të sigurt për përgjigjen.
Një raport i BIRN në vitin 201726 mbi këtë temë vë në dukje se gazetarët përpiqen të fshehin rastet e vetëcensurës kur pyetja është direkt për ta dhe punën e tyre,ndërsa kanë një perceptim se ajo ndodh më shumë në raport me të tretët, duke patur parasysh kolegët apo media të tjera nga vendi i tyre i punës.
Është kontradiktor fakti se, edhe pse kanë thënë se vetëcensuroheshin, shumica e të anketuarve kanë mohuar se kjo lidhej me pasigurinë për vendin e punës apo frikën prej shkarkimit. 51.5% mohuan se publikimi i një lajmi mund të sillte shkarkimin nga puna, 30.5 % pohuan se e kishin këtë frikë, ndërsa 18 % ishin të pasigurtë.
