Kostumet shqiptare, artizanja Sulaj: Çdo element në kostum është sipas traditës

E ftuar sot në studion e “Jeto me Orën”, stilistja dhe artizanja Edlira Sulaj që prej 18 vitesh mban traditën gjallë.

“Kam 18 vite që i studiojë këto veshje, me dëshirën e madhe sesi ato veshje janë ndërtuar” tha Edlira.

Sulaj i ka ruajtur denjësisht këto veshje, duke mos humbur asnjë detaj nga origjinaliteti i tyre.

“Jam munduar me përpikmërinë më të madhe ti ruaj veshjet si i kanë punuar të parët tanë” u shpreh Edlira.

E pyetur nga moderatorja Ana Kallaku se për çfarë i përdorin këto veshje njerëzit. Stilistja u shpreh se vajzat dëshirojnë shumë që ti veshin këto veshje në ditën e tyre më të veçantë, dasmën. Por edhe për fëmijët është një dhuratë shumë e bukur dhe ka shumë kërkesa.

Edlira e ka nisur këtë zanat që në fëmijëri , prodhimin e kostumeve popullore e ka të trashëguar nga familja. Që në moshë të vogël ajo dhe e motra kanë punuar bashkë me nënën në punë me dorë. Një zanat tashmë që ka shkuar zinxhirë në familje, pasi edhe gjyshja punonte me vegjë dhe bënte pëlhura për vajzat që martoheshin ose siç ne e quajmë, pajën e nuseve.

Si çdo zanat, edhe rrobaqepësia ka qenë një sfidë më vete për Edlirën, por me punë dhe pasion ajo ka arritur t’ia dal.

 Të shumta janë pjesëmarrjet e saj në  aktivitete të ndryshme. Ajo tregon sesi po shkojnë aktivitete tashmë pas pandemie.

“Kur ka qenë pandemia jam ndjerë shumë keq se më dukej sikur do i vija çelësin punës, por pas pandemisë kemi pasur goxha aktivitet, duke shkuar në shumë vende të botës ku kemi përfaqësuar shqipërinë” u shpreh Edlira.

Edlira dëshiron së tepërmi edhe përfshirjen e të rinjve në këtë punë, sepse ata kanë ide dhe kreativitet.

“Duhet të gjejmë një ndihmë për të rinjtë që të hapin një biznes në këtë fushë, ta ngremë sërish atë kala të bukur që e rrëzuam me vite” përfundoi Sulaj.