Tërmeti që lëkundi Lezhën mbrëmë, sizmologu: Ishte i izoluar, nuk prek pjesën tjetër të Shqipërisë
Një tërmet i fortë me madhësi 4.5 Rihter tronditi vendin tonë mbrëmjen e djeshme ( 17 tetor).
Sipas IGJEUM tërmeti u regjistrua 10 km në veri-perëndim të Rrëshenit, në 19 km thellësi.
Sizmologu Edmod Dushi thotë në emisionin "Ditë e Re" se tërmeti i mbrëmjes së djeshme është i izoluar dhe se nuk prek pjesën tjetër të vendit.
"Kjo situatë ishte e pritshme në aspektin sizmologjik. Magnituda 4.5 nuk është i fortë. Kjo klasë magnitude konsiderohet si tërmet i mesëm. Është tërmet i izoluar vetëm për atë zonë aty dhe nuk prek pjesën tjetër, sepse nuk pati lëkundje metasizmike", tha sizmologu.
Simologu pohon se vendi jonë është një zonë me aktivitet sizmik të theksuar dhe se tërmete të tilla është normale të ndodhin në Shqipëri. Ai thotë se kanë ndodhur mbi 100 tërmete në Shqipëri që nga tërmeti i 2019-ës.
"Jetojmë në një terren me aktivitet të lartë sizmik. Historiku i aktivitetit sizmik në vendin tonë është shumë i pasur me tërmete. Ky tërmet siç u pa është një ngjarje si gjitha tërmetet e tjera që ka pasur në rajon që nga tërmeti i Durrësit. Kemi më shumë se 100 tërmete që kanë ndodhur në këtë rajon duke filluar që nga veriu i Durrësit që ka qenë aktiv në vitin 2019. Ben çdo ditë. Zona është e ngarkuar në kuptimin tektonik dhe këto aktivitete do ta çlirojnë", u shpreh sizmologu.

