Vijnë studentët por transporti në krizë, Unioni: Jemi të detyruar të operojmë me gjysmën e mjeteve

Unioni i Transportit Publik ka paralajmëruar se do të punojë me kapacitet të reduktuar si pasojë e problemeve të pandemisë ende të pa zgjidhura nga shteti shqiptar.

Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik, njoftojnë me anë të një deklarate se pas një viti e gjysëm nga rihapja e aktivitetit, ndodhen ende në pikën fillestare ku asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë apo plotësim të kërkesave ekonomike të premtuara.

Sipas tyre, të gjendur në këtë situatë të pafuqishme ekonomike për të përballuar ecurinë e transportit dhe sidomos pas rritjes së vazhdueshme e të pandërprerë të çmimit të naftës dhe të largimit të stafit, Unioni është i detyruar që të operojë nga data 18.10.2021 me gjysmën e kapacitetit të flotës së mjeteve urbane.

Unioni thekson se kjo situatë ka ardhur pas shumë kërkesash dhe njoftimesh si në isntitucionet vendore dhe ato qëndrore ku mosreagimi i tyre po e çon drejt kapitullimit ekonomik këtë sektor.

Në deklaratë thuhet se operatorët e transportit mbeten në pritje të zgjidhjes së kërkesave nga ana e isntitucioneve përgjegjëse.

Ky vendim përkon edhe me nisjen e vitit të ri akademik, ku studentët u ulën sot në auditore pas më shumë se një viti mësim online.