Martini pranon gabimet te Teuta. Shehi: Merituam fitoren, tani derbi

Kampionët e Shqipërisë në fuqi, Teuta pësoi një humbje të thellë në “Elbasan Arena” dhe trajnerin Martini e shqetësojnë shumë pësimi i kaq shumë golave ku pranoi se skuadra ka bërë shumë gabime ndaj Teutës.

“Komplimentoj Tiranën për ndeshjen, pasi mori një fitore të merituar, por dua të theksoj se ne gabuam shumë, në të tre golat e kundërshtarit. Është e pafalshme që ne të pësojmë 5 gola në dy ndeshje dhe duhet të ndalemi këtu. Kemi gabuar në të gjithë golat e pësuar sot dhe sidomos në golin e barazimit të Tiranës. Gol i dytë i tyre na befasoi dhe na çorientoi, duke bërë që të nxitonim për golin e tretë, por bëmë shumë gabime individuale dhe u ndëshkuam sërish, këtë herë nga një goditje standarde. Nuk e kishim nënvlerësuar Tiranën, por ishim në një ditë të keqe dhe gabuam të gjithë. Kemi bërë gabime elementare sot dhe kjo vendosi ndeshjen”.

Ndërkohë që Orges Shehi nuk e fsheh gëzimin për fitoren por e pranon se që nga ky moment ai dhe Tirana do të mendojnë për derbin e kryeqytetit.

“Kaluam një situatë të vështirë, pasi e kemi përgatitur ndeshjen me vetëm 10 lojtarë, Këtë vendosje e provuam edhe në Kupë, për t’u përshtatur disi dhe më vjen mirë që sot na shkoi mirë, duke marrë fitoren. Rëndësi ka që skuadra krijon raste dhe del para portës kundërshtare, por natyrisht që duhet të mësojmë edhe t’i godasim, pasi nuk mund të shpërdorojmë kaq shumë. Unë i kam shumë qejf ndeshjet e forta dhe këtë mentalitet dua t’ua përcjell edhe lojtarëve. Janë ndeshje të bukura, të cilat ne duhet t’i shijojmë dhe të provojmë të marrim më të mirën. Në derbi nuk ka asnjëherë favoritë, pasi skuadrat janë aty-aty dhe për vetë historinë, vështirë se mund të bësh një parashikim. Është një ndeshje speciale, që të gjithë mezi e presin, por do të provojmë ta luamë sa më mirë për të bërë krenarë të gjithë tifozët tanë”, përfundoi trajneri i bardhebluve./Ora News/.