Tirana spektakolare, mposht 3-2 Teutën dhe kryeson e vetme në Superiore

Tirana bën Tiranën që të gjithë duan dhe presin. Skuadra e Orges Shehit fiton një ndeshje shumë të bukur ndaj Teutës në Elbasan duke dhënë sinjale të forta në garën për titull. Edhe pse është herët ende, Tirana merr kryesimin duke mundur një rival direkt si kampionët në fuqi të Teutës me rezultatin 3-2.

Sfida në “Elbasan Arena” ishte spektakolare ku një gol i shpejtë i Tiranës që në minutën e parë me Xhixhën ndezi ndeshjen. Teuta reagon menjëherë dhe në 16’ i përgjigjet me Ivanoviç me një goditje me kokë pas një topi të Kallakut në zone.

Ndeshja është shumë e bukur me bardheblutë që i afrohen 2 herë të tjera golit me Toshevskin në 30’ dhe Xhixhën në 32’.

Nuk zhgënjen as fraksioni i dytë i lojës ku me të nisur është Teuta që kalon në avantazh falë një autogoli të Najdovskit që pas krosimit të Acquah e çon topin në rrjetë gabimisht.

I menjëhershëm është reagimi i Tiranës ku 4 minuta më pas, ku Totre i shërbyer mjeshtërisht me kokë nga Seferi, shënon golin e parë në këtë kampionat duke barazuar sfidën 2-2.

Teksa sfida ul disi ritmin, në 64’ mendon Vesel Limaj që me një kryevepër nga një goditje dënimi shënon për t’i dhënë avantazhin 3-2 Tiranës.

Në minutat në vijim, sërish bardheblutë rrezikojnë të shënojnë por edhe Teuta mund të barazonte teksa sfida në “Elbasan Arena” mbyllet me fitoren spektakolare të bardhebluve që kryesojnë të vetëm në krye me 11 pikë në Abissnet Superiore./Ora News/.