KLSH: Tirana, Vlora dhe Elbasani kanë dështuar me menaxhimin e mbetjeve plastike

Riciklimi i mbetjeve dhe sidomos plastikës e qelqit konsiderohet si një nga aktivitetet që i sjell më shumë të ardhura ekonomisë por dhe duke i shërbyer mjedisit.

Qeveria dhe bashkitë e kanë konsideruar më herë këtë pikë si prioritet, por KLSH zbulon se ato kanë dështuar me menaxhimin e mbetjeve plastike dhe grumbullimin e diferencuar.

Auditimi është realizuar përgjatë viteve 2017-2020 në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Elbasan.

Në dokument ndër të tjera thuhet se ministria nuk ka pasur as program për parandalimin e krijimit të mbetjeve. ndërsa bashkitë Tiranë dhe Vlorë nuk kanë hartuar planet vendore për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Sa i përket kryeqytetit edhe KLSH konstaton se vëmendja e bashkisë është në qendër pasi infrastruktura e vendgrumbullimeve të mbetjeve ndryshon dukshëm sa më shumë i afrohesh periferive.

Në to koshat janë të dëmtuar dhe në disa raste janë të tejmbushur dhe pa ndarje sipas emërtimeve.

Edukimi i publikut është realizuar pjesërisht vetëm nga 1 kompani nga 5 të tilla që ofrojnë shërbimin e pastrimit.

Për pushtetin vendor objektiv ka qenë riciklimi i plastikës në 22.5% kundrejt totalit, por dhe kjo nuk është realizuar.

KLSH evidenton se në Shqipëri mungojnë të dhënat se sa para humbasin në ekonomi si rezultat i trajtimit dhe asgjësimit të plastikës nëpërmjet inceneratorëve./OraNews/