Pedagogët e Shkodrës kërkojnë ndërhyrje urgjente: 11 degë rrezikojnë mbylljen, asnjë zgjidhje nga Evis Kushi
Kriza që ka prekur Universitetin e Shkodrës me uljen e numrit të studentëve dhe rreziku i mbylljes së disa degëve ka detyruar Asamblenë e këtij Universiteti të zhvillojë një mbledhje urgjente pak ditë para nisjes së vitit akademik. Pedagogu dhe drejtuesi i Asamblesë Arben Prendi tha se rezoluta që ka dërguar Senati i Universitetit "Luigj Gurakuqi" për dialog lidhur me autonominë e universiteteve publike është refuzuar nga ministria e Arsimit.
"I kemi kërkuar senatit të ri miratimin e një rezolute që shpreh vendimin e Asamblesë. Pas afër 1 muaji pak a shumë ministria ka kthyer përgjigje me të cilën hedh poshtë këtë rezolutë dhe refuzon dialogun për çështjen," tha Prendi.
11 degë rrezikojnë mbylljen në këtë institucion të arsimit të lartë.
"Të paktën 3 degë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja janë drejt mbylljes, tek Shkencat Shoqërore 4 degë janë drejt mbylljes, të Fakulteti i Edukimit 1 degë është drejt mbylljes, të Shkencat e Natyrës 3 degë janë drejt mbylljes," tha ai.
Të tjerë pedagogë janë të mendimit se nuk ka krizë të përgjithshme, por vetëm në disa degë prandaj gishtin për problemet duhet ta kthejmë më parë nga vetja shtuan ata.
"Besoj se ne duhet të punojmë që ato programe që kemi t'i bëjmë më të mira."
"Kemi miratuar 3 programe të njëjta në brendësinë e tyre dhe vetëm ndryshon emri."
Kritika pati dhe për faktin se vetëm 5% e studentëve janë të vaksinuar dhe po rrezikohet prezenca në auditore.
Asambleja vijoi më pas me dyer të mbyllura nga kërkesa e një grupi të vogël pedagogësh të cilët refuzuan të flasin për medien.
Asambleja e personelit akademik është një nga dy organet më të rëndësishme në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë.



