E vranë për gjakmarrje, dy shqiptarë shpallen në kërkim për ekzekutimin e malazezit

Dy shqiptarë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar të dyshuar për vrasjen e një shtetasi malazez korrikun e këtij viti në Ulqin. Sipas autoriteveve, disa orë pas krimit që dyshohet për gjakmarrje, të dyshuarit hynë në Shqipëri nga dogana e Murriqanit.

Shqiptarët Vincens Pirolli 34 vjeç dhe Dorjan Lala 35 vjeç, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, të dyshuar për vrasjen e një malazezi në Ulqin.

Ngjarja për të cilën akuzohen shqiptarët u shënua më 4 korrikun e këtij viti, ndërsa viktimë mbeti 69-vjecari Momçillo Gjurishiç.

Mediat në vendin fqinj, duke cituar burime nga grupi hetimor thonë se krimi ka si motiv gjakmarrjen, pistë të cilën nuk e mohuan as drejtuesit e policisë.

Dyshimet janë se 69-vjeçari është ekzekutuar pasi djali i tij në mars të vitit 2017 ka vrarë me armë zjarri 53-vjeçarin nga Kosova Beqë Likaj.

Por mediat malazeze nuk japin më shumë detaje nësë Vincens Pirolli dhe Dorjan Lala kanë lidhje me viktimën apo janë të paguar për krimin.

Dy shqiptarët sipas hetimit hynë në Mal të Zi në mënyrë të rregullt dhe disa orë pas vrasjes rezulton se janë rikthyer në Shqipëri përmes pikës kufitare të Murriqanit.

Shefi i Sektorit kundër kriminalitetit dhe Korrupsionit në Ulqin në një konferencë të posacme për zbardhjen e ngjarjes tha se akuzat ndaj dy shqiptarëve janë të bazuara mbi prova dhe fakte të grumbulluara në bashkëpunim me homologët në Shqipëri për të cilët kishte falenderime.