Krim në familjen shqiptare në Francë/ Adoleshenti vrau babanë me armë sepse i dhunonte nënën, në paraburgim 13-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur javën e kaluar në Francë, ku një 13-vjeçar shqiptar nga Kosova ka vrarë me armë zjarri të atin, pasi ky i fundit i dhunonte nënën.

Mediet franceze njoftojnë se ngjarja ka ndodhur të enjten e kaluar (8 tetor).

Adoleshenti shqiptar e qëlloi në kokë të atin me armë, pasi sipas tij nuk duronte të shikonte  dhunën kundër nënës së tij.

Bashkëshortja e dhunuar ka thënë për policinë franceze se gjithçka filloi nga një  mosmarrëveshje që kishte çifti midis tyre.

Ajo tha se mbrëmjen e ngjarjes burri kishte ardhur në gjendje të alkoolizuar në shtëpi.

Megjithatë deklarata e gruas dhe fëmijëve bie në kundërshtim me ekzaminimin e mjekut ligjor, pasi ai nuk gjeti asnjë shenjë dhune në trupin e gruas.

Mësohet se 13-vjeçari e qëlloi të atin në sy të nënës së tij dhe motrës 7-vjeçare. Më pas 13-vjeçari u largua me vëllanë e tij 12-vjeçar.

Ata e fshehën armën në disa shkurre pranë shtëpisë, pastaj u endën rrugëve të Nancy, gjatë gjithë natës para se të dorëzoheshin në polici të nesërmen.

Djali 13-vjeçar pranoi krimin, ai akuzohet për vrasjen e babait të tij dhe tashmë është dërguar në qelinë e paraburgimit.