Rama: Nuk jemi të zhgënjyer për negociatat, Evropa jo në formën e saj më të mirë

Kryeministri Edi Rama nuk është i zhgënjyer nga samiti i fundit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Slloveni, i cili nuk prodhoi asnjë datë për negociatat për integrimin në BE.

Kjo pasi, siç tha kreu i qeverisë, Evropa nuk është në formën e saj më mirë.

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste në televizionin kombëtar gjerman, NTV deklaroi se fakti që Samiti i Lubjanës nuk prodhoi asnjë datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare nuk është zhgënjyes për të.

Rama teksa pohoi se e priste një gjë të tillë u shpreh se Evropa nuk është në formën e saj më të mirë.

Rama: Në të kaluarën do të ishim të zhgënjyer, por kemi mësuar se Evropa nuk është në formën e saj më të mirë dhe ne e kuptojmë këtë, prandaj thjesht vazhdojmë punën tonë. Siç e dini, ne duhet të krijojmë patjetër një Shqipëri që mbart të njëjtat vlera dhe standarde si Bashkimi Evropian. Dhe jo sepse Berlini, Parisi, Brukseli na detyrojnë, por sepse kjo është ajo që ne do duam për fëmijët tanë.

I pyetur lidhur me strehimin e shtetasve afganë në Shqipëri Kryeministri Rama tha se u shmang ngritja e kampeve për ta pasi sipas tij, kampet e refugjatëve janë çnjerëzore.

Rama: Kampet e refugjatëve janë çnjerëzore. Mendoj se ato janë një nga arsyet pse komunitetet përreth trazohen, kur njerëzit i shohin refugjatët në afërsi të tyre të mblidhen nëpër kampe. Kur vijnë shumë njerëz, ndonjëherë duhen ndërtuar edhe kampe, por në rastin tone ne morëm një vendim. Edhe pse na u ofruan para për të ndërtuar kamp për refugjatët, refuzuam. Në këtë rast bëmë të njëjtën gjë që bëmë për njerëzit tanë, kur vendi ynë u godit nga tërmeti i tmerrshëm më 26 nëntor 2019.

Në intervistën për televizionin kombëtar gjerman, NTV, Edi Rama u shpreh se me largimin e saj nga skena politike, Angela Merkel do t’i mungojë jo vetëm vendeve të Ballkanit, por gjithë botës.

Ndërsa tha se nuk ka qenë e qëllimshme përzgjedhja e grave në shumicë në kabinetin e tij qeveritar, porse ishte nisur nga dëshira për të pasur më të mirët në qeverinë e tij.