Arrestimi i Thoma Gëllçit, Shkeljet që zbuloi SPAK në tenderin për RTSH Agro: Shpalli fituese ofertën me 20 mln lekë më të lartë

Prokuroria e Posaçme SPAK ka gjetur një seri shkeljesh dhe parregullsish në tenderin për të cilin u arrestua ish-drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar Thoma Gëllçi dhe 3 anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave.

Sipas Prokurorisë, ish kreu i televizionit publik dhe tre punonjësit Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj kanë abuzuar në blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH AGRO në vitin 2018, një procedurë me fond limit prej 86 milion lek të reja.

Sipas akuzës Thoma Gëllçi dyshohet se ka shpallur procedurën e tenderimit edhe pse nuk ka pasur leje nga bordi dhe nga AMA.

Në lidhje më këtë tender në garë ishin dy kompanitë, "TBS 96" dhe "Euro Kontakt SH.P.K", të cilat kishin sipas SPAK, probleme me dokumentacionin.

Operatori "Euro Kontakt" u fut në këtë garë më 200 milion lekë të vjetra më pak se komapnia tjetër, ku dhe u skualifikua.

Ndërkohë prokurorët thonë se pasi u shpall fituese kompania "TBS 96", ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi, nxori urdhrin për vlerësimin e ofertës, ndonëse "TBS 96" nuk kishte dokumentet standarde.

Më 24 dhjetor 2018 është lidhur kontrata mes ish-drejtorit dhe operatorit fitues, ku afati i zbatimit ishte deri më 06.02.2019, por një javë pas përfundimit, sipas SPAK, Thoma Gëllçi kreu një tjetër shkelje duke firmosur një kontratë shtesë deri në fund të shkurtit.

Edhe pse kontrata u lidh në vitin 2019, miratimi nga bordi dhe leja nga AMA për hapjen e kanalit RTSH Agro u dha vetëm në vitin 2020, ndërsa sinjali i transmetimit u hap në prill 2021.

Pas caktimit të masave të arrestit me burg në mungesë, katër të arrestuarit Thoma Gëllçi dhe Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, pritet të dalin para Gjykatës për njoftimin e vendimit të dhënë ndaj tyre.

Mësohet se denoncimi që u bë shkak për arrestimin e ish-drejtorit të RTSH është bërë nga kompania humbëse, fillimisht në prokurorinë e Tiranës, por dosja ka kaluar në SPAK për shkak të funksionit që mbante Thoma Gëllçi deri në maj të vitit 2021.

Për çfarë akuzohen të arrestuarit

Thoma Gëllçi i cili është shkarkuar nga detyra në vitin 2018 kur edhe ndodhën shkeljet, sipas SPAK, akuzohet se ka kryer veprën penale ''shpërdorim detyre", pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij ka lejuar parregullsi dhe shkelje në procedurën e tenderit. 

Për të njëjtën çështje në pranga kanë rënë edhe tre punonjësit e RTSH Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në tenderin e gjetur me shkelje. Ata janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Të arrestuarit pritet të dalin ditën e hënë (11 tetor) para Gjykatës ku do të njihen edhe me masën e sigurisë. /OraNews/