Pyetet live në studio nëse kishte dijeni për arrestimin e Thoma Gëllcit, ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka marrë vesh lajmin për arrestimin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçin. I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, Rama tha se nuk kishte dijeni më parë për aksionin e SPAK.

"Tani po e marr vesh që jemi bashkë,” tha Rama.

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi është arrestuar mbrëmjen e kësaj të premte për llogari të SPAK-ut me akuzën e shpërdorimit të detyrës për shkak të pabarazisë në tendera.

Gjyqtarja Flora Hajredinaj ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Gellçin dhe për tre punonjës të tjerë të RTSH-së.

Për çfarë akuzohet 

Gëllçi akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, në blerjen e pajisjeve për kanalin 'RTSH Agro'.

Në njoftimin e bërë publik nga SPAK, renditen shkeljet e Gëllçit dhe tre punonjësve të RTSH, Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj.

Tenderi për të cilin SPAK ka nisur hetimet është në vlerën e 87 milionë lekëve të reja.

Për katër të akuzuarit, SPAK kërkon arrest me burg, ndërkohë që të pandehurit pritet të njihen ditët në vijim me masën e sigurisë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit.

NJOFTIMI:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 28.02.2020 ka regjistruar proçedimin penal nr.82/2020 për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Hetimet në kuadër të këtij proçedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjithëpërfshirëse lidhur me këtë proçedim rezultoi se:

Në proçedurën e prokurimit “Proçedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M., shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal.

Po kështu nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH.G., me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M., E.M. dhe Th.G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.202, vendosi: “Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Vendosjen e masës të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasit nën hetim Th.G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit i detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Vendosjen e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasave nën hetim J.T., A.M. dhe E.M., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal. Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.