Shpallet emergjenca për furnizimin me energji elektrike, Rama: Çmimin e vendos tregu, jo shteti

Pas rritjes së çmimit të energjisë javën e fundit qeveria shqiptare shpalli sot emergjencë për furnizimin me energji elektrike.

Por pas kësaj në një deklaratë për  mediet kryeministri Edi Rama theksoi se do të mbrojë konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla nga rritja e papërballueshme e çmimit të energjisë.

"Ne po diskutojmë të mbrojmë konsumatorët nga furtuna. Mbyllja e dritave do ishte pastaj kollaj fare, por nuk jemi këtu për t'i rënë kollaj gjërave," tha Rama.

Por në një kohë që çmimet e ushqimeve të shportës janë rritur në të gjithë vendin, jetesa për një pjesë të mirë të qytetarëve po bëhet gati e papërballueshme.

Kjo për shkak se rrogat e qytetarëve nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet. Por për këtë kryeministri tha se rritja e rrogave bëhet në varësi të kapaciteteve ekonomike të vendit duke e krahasuar atë me shtete e huaja si Gjermani dhe duke shtuar se ajo do të vijë gradualisht.

"Pyetja ose kërkesa meqë rriten çmimet rrisni rrogat nuk funksionon kështu. Hajde se ne nuk kuptojmë, po Gjermani dhe Franca pse nuk i rrisin dhe nuk i bëjnë nga 20 mijë euro për person," tha Rama.

Ndërkohë lidhur me çmimin e blerjes së energjisë, Rama sqaroi se ajo varet nga bursa.

"Nuk ka lidhje shteti fare se sa është çmimi në benzinatë, atë e vendos tregu," shtoi Rama.

Në përfundim të fjalisë së tij kryeministri Edi Rama deklaroi se plani i posaçëm për përballimin e krizës energjitike do të prezantohet ditën e nesërme (9 tetor).