"Kam mbështetur një njeri të pabesë", Berisha: Nëse do kisha marrë këtë akt në 2017 do ishim në pushtet

Berisha ngriti "Foltoren" në qytetin e Elbasanit pasditen e sotme. Në fund të fjalës së tij, zoti Berisha i dha mikrofonin qytetarëve. Një prej qytetarëve të Elbasanit që mori fjalën u shpreh entuziast dhe tha se kishte kohë që nuk kishte parë dhe ndjerë të tillë ovacion dhe frymëzim.

Zoti Berisha kërkoi "falje" pasi e quan veten përgjegjës që la partinë në drejtimin e Lulzim Bashës. Zoti Berisha u shpreh se nëse do të kishte ndërmarrë të njëjtin akt si sot në vitin 2017 tani PD-ja do të ishte në pushtet dhe negociatat do të ishin hapur.  

Qytetari: "Kisha kohë që nuk e kisha ndjerë këtë ovacion, këtë frymëzim. Na u bënë ambasadorët më të rëndësishëm, na u bënë kriminelët në gjithë botën dhe Evropën. Investimi më i mirë që ka bërë kjo qeveri janë vrasjet dhe vrasësit, droga, krimi dhe gjithçka tjetër. Kjo është fatkeqësia më e madhe për të ardhmen e këtij vendi. Unë e di se kush është Sali Berisha, siç e dinë të gjithë. Fasadat që bëri Edi Rama dhe ne po na bëhen si fasadë. Ne na duhet përmbajtja, na duhen demokratët që kanë drejtuar me shpirt. Sot kemi nevojë për një udhëheqje të bashkuar demokratike."

Berisha: "Unë kërkoj ndjesë para jush sepse në këto 8 vite si njeri i betuar që nuk kthehem më, kam mbështetur publikisht një njeri që nuk po e marr në rrafshin njerëzor, se po ta marrësh në rrafshin njerëzor në librat shkencorë thuhet se si ai (i pabesi) as nuk duhet të lindë. Por, nuk e marr në këtë rrafsh fare. E marr në një qëndrim jashtëzakonisht të paimagjinueshëm ndaj vlerave që ne sollëm në Shqipëri. Ne sollëm dy gjëra, votën e lirë dhe liri e të drejta njerëzore e interes kombëtar. Për fat të keq partia filloi të bjerë në këto dy shtylla kryesore.

Unë e kam mbështetur në mënyrë absolute duke i treguar atij (Bashës) privatisht gjithçka. Por, publikisht unë e kam mbështetur fuqimisht me shpresë që të ecnim drejt fitores, në një kohë kur ai kishte axhendë tjetër për t'u lartësuar vetë. Nuk lartësohesh dot nëse kryen akte siç kreu ai në vitin 2017, del në pusi dhe vret bashkëluftëtarët e tu dhe thua e bëra unë. Po si e bërë? Jo çdo gjë mund të bësh! Gabimi më i madh i imi ka qenë se unë në vitin 2017 duhet të kisha marrë këtë projekt që kam ndërmarrë sot, ju siguroj se do ishim në pushtet sot, Shqipëria do kishte hapur negociatat. Kjo nuk ndodhi, për çka unë kam përgjegjësi. Do bëj gjithçka që të kthejmë vlerat."/OraNews/