"Gjykatat plotësohen në 2024", Manja: Do trefishojmë pranimet në magjistraturë
Ministria e Drejtësisë ka pranuar kolapsin në Gjykata si pasojë e vettingut.
Në forumin "Të ndërtojmë së bashku një Ballkan më të mirë" Ulsi Manja duke e konsideruar reformën në drejtësi unike në botë shprehet se nga 450 gjyqtarë e prokurorë që kanë kaluar në KPK, 60% e tyre janë larguar.
Shpresat për të plotësuar së paku shkallën e parë sipas ministrit të Drejtësisë shkojnë në vitin 2024.
"Në vitin 2024 që është dhe përfundimi i procesit të vettingut mos kemi vakanca në shkallët e para të gjyqësorit dhe në Prokurori," tha Manja.
Edhe pse ekspertët janë kundër ministri i Drejtësisë mbështet dyfishimin e pranimeve në magjistraturë.
"Edhe pse në një numër kandidatësh relativisht modestë shkolla e magjistraturës ka arritur të plotësojë disa nga këto vakanca në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe në Prokurori. Deri në fund të vitit 2024, që ne mendojmë se do të jetë përfundimi i procesit të vettingut, në këtë vit akademik ne na duhet të trefishojmë kapacitetet e pranimit në shkollës e magjistraturës duke e çuar numrin e studentëve në 200-250 kandidatë," u shpreh Manja.
Për të realizuar vettingun e plotë mazhoranca socialiste parashikon edhe të paktën tre vite të tjera kohë, e për këtë do ti shtohet mandate KPK, ONM dhe Komisionerit Publik.
"Edhe shtimin e mandateve të organeve të vettingut për të përfunduar me sukses dhe kaluar në filtër të gjithë trupën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve," tha Manja.
Reformën në Drejtësi pritet që ta nisë tashmë dhe Kosova.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se ligji tashmë është gati.
"Kemi përfunduar dokumentin për zhvillimin e procesit të vettingut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial dhe i cili në javën e ardhshme do të miratohet në qeveri dhe i hap rrugën ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore," tha Haxhiu.
Në Shqipëri janë 860 prokurorë dhe gjyqtarë që do të kalojnë në sitën e pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit./OraNews/
